Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar përmes rrjeteve sociale për situatën e rëndë të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut në Fier dhe Vlorë.
“Situatë e rëndë për qindra familje në Fier e Vlorë, por dhe në qytete e fshatra të tjera të Jugut, ku shirat e dendur kanë krijuar përmbytje e pasoja dramatike. Për fat të keq ujërat e rrëmbyer kanë shkaktuar edhe vdekjen e kryefamiljarit Luan Qarri. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të ndjera të afërmve të tij”, shkruan Basha.
Kreu i opozitës kërkon nga Qeveria angazhimin maksimal për t’u ardhur në ndihmë banorëve në zonat e prekura nga përmbytjet.
“I kërkoj qeverisë të mobilizohet me gjithçka që ka në dispozicion për të shmangur viktima të tjera në njerëz. Jeta e qytetarëve është prioritet absolut. Të veprohet me shpejtesi dhe te zbresin në terren me te gjitha forcat dhe mjetet, aty ku bashkqytetarët tanë janë mbuluar nga uji dhe balta, ku rrugët janë bllokuar e ku koha nuk pret asnjë minutë për të shmangur fatkeqësi të tjera”, thotë Basha.
Pas këtij statusi të Lulzim Bashës në Facebook, ka reaguar përmes një deklarate për mediat edhe Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Arben Ristani.
Ristani i ka kërkuar Edi Ramës që “të lërë menjëanë keqardhjen për ndeshjen e futbollit që nuk e sheh dot nga parku i Kryeministrisë dhe të heqë dorë nga shfaqja mediatike në këto orë të vështira për qytetarët”.
“Të marrë çdo masë përpara se të jetë vonë, që të mos ndodhin fatkeqësi të tjera. I kërkojmë qeverisë të zbresë menjëherë në terren aty ku qytetarët, familjarët, fëmijë e të moshuar, burra e gra janë mbuluar nga uji dhe balta, ku rrugët janë bllokuar e ku mungojnë gjërat bazike, si ushqimi, uji i pishëm dhe energjia elektrike. Situata e rëndë kërkon përgjigje serioze dhe të shpejtë nga autorietet”, deklaron Ristani.
Top Channel