Kualifikimi i Shqipërisë, festime madhështore në Prishtinë

11/10/2015 21:10

Fishekzjarrët ndriçuan qiellin e Prishtinës në momentin që ndeshja Armeni-Shqipëri po numëronte sekondat e fundit të saj.

Qindra qytetarë me flamuj kombëtarë e simbole të tjera, që besonin në fitore, u mblodhën edhe këtë herë në sheshin “Zahir Pajaziti” për ta ndjekur nga ekrani i madh ndeshjen kualifikuese për kampionatin Europian. Ata festuan për 90 minuta rresht për një fitore që pritej, por festa e tyre kulmoi kur kombëtarja kuq e zi shënoi golin e tretë ndaj armenëve.

Edhe grupi i tifozëve prishtinas, “Plisat”, e shënuan në mënyrën e tyre këtë moment të rëndësishëm.

Ndërkohë qetësia e kësaj të diele u kthye në një atmosferë të rrallë feste në të gjitha rrugët e kryeqytetit kosovar.

Urimeve dhe festës që do të vazhdojë iu bashkuan padyshim politikanët kosovar. Kryeministri Isa Mustafa uroi të gjithë shqiptarët anë e kënd fitoren e kombëtares.

“Për këtë u punua shumë dhe një kontribut të spikatur e dhanë edhe futbollistët kosovarë me lojën e të cilëve ndjehemi krenar të gjithë”, thotë kryeministri Mustafa, pa harruar këtu të ardhmen e sportit, në veçanti atij kosovar, që sipas Kryeministrit po depërton fuqishëm në skenën sportive ndërkombëtare.

Për ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi kombëtarja kuq e zi e shkruan historinë e futbollit shqiptar me shkronja të arta. Ndërsa kreu i lëvizjes Vetëvendosje shkruan se atëherë kur u bashkuam, aty ku u bashkuam, fituam.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA