Evidencat mjekësore, mjekët: Me rëndësi për të dhënë konkluzione të sakta

11/10/2015 00:00

Në vitin 2013 u vërtetua se përdorimi i komplekseve të vitaminave pa rekomandimin e mjekut ka shkaktuar kancer. Ilaçi kundër aritmisë i futur në qarkullim në vitet 80 solli ndalje të saj, por pas disa vitesh u vërtetua se ky medikament  rrit vdekshmërinë.

Janë të shumta evidencat që tregojnë gabimet e bëra në mjekësi. Profesor Myftar Barbullushi thekson se është shumë e rëndësishme që vlerësimi dhe mjekimi i një pacienti të bëhet duke marrë parasysh evidencat

“Mjekësia shqiptare duhet të kuptojë që çfarë do eksperience individuale që të ketë një mjek, një grup, apo një shkollë e caktuar, nëse nuk lidhet me të dhënat e reja mjekësore, do të çojë në gabime të pafalshme për të sëmurin”, shprehet profesori Myftar Barbullushi.

Në Shqipëri, mjekët profesionistë para se të dalin në një konkluzion, duhet të marrin parasysh evidencat botërore, dhe të qëndrojnë më gjatë me pacientin.

“Shkrirja e eksperiencës së tyre me evidencat e fundit botërore është një kusht i domosdoshëm. Ky duet nuk mund të shkojë pa pacientin”, thotë Barbullushi.

Profesori thekson se është shumë e rëndësishme që të përmirësohet raporti mes mjekut dhe pacientit, i cili vitet e fundit ka pësuar një çarje të madhe.

Top Channel