Mbërrin nën masa të forta sigurie kombëtarja serbe

07/10/2015 00:00

Ekzaktësisht në 17:50 avioni që transportoi kombëtaren serbe të futbollit dhe stafin e saj preku pistën e aeroportit të Rinasit.

Qindra efektivë të Policisë së Shtetit, FNSH dhe repartit RENEA, prej orësh kishin rrethuar gjithë perimetrin e aeroportit të Rinasit, për të siguruar gjithçka në momentin e mbërritjes së delegacionit serb në Tiranë. Veç drejtuesve më të larë të Policisë së Tiranës, i pranishëm ishte dhe Ambasadori i Serbisë në Tiranë, i cili ka qenë i pari që ka pritur kombëtaren serbe.

Të shoqëruar nga një autokolonë e gjatë me makina dhe motor policie, dy autobusët kanë lënë aeroportin e Rinasit gati 20 minuta pas mbërritjes për t’u drejtuar për në dy hotele, në “Sheraton” ku është akomoduar ekipi kombëtar dhe stafi teknik dhe në “Rogner”, ku janë akomoduar pjesëtarët e tjerë të stafit që kanë shoqëruar kombëtaren e Serbisë.

E gjithë autostrada që lidh Rinasin me Tiranën ishte tërësisht e bllokuar dhe vihej re prezenca e madhe e forcave të rendit. Ndërkaq, situata ndryshoi në zonën e Doganës, ku nisën të shfaqeshin qytetarët e parë me flamuj kombëtar në duar, numri i të cilëve do të rritej ndjeshëm përgjatë gjithë rrugës së “Durrësit”. E pikërisht në këtë vend, dyshohet se ka ndodhur një incident i vogël, ku një person ka hedhur një gur në drejtim të autobusit, duke i shkaktuar vetëm një gërvishtje të lehtë një prej xhamave të tij.

Për këtë folën në konferencë shtypi edhe përfaqësuesit e skuadrës serbe. Nga ana e saj, Policia e Shtetit me anë të një njoftimi zyrtar bëri të ditur se ka nisur menjëherë puna për identifikim dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Ndryshe nga sa ishte deklarua më parë, kombëtarja serbe u akomodua në hotel “Sheraton”, pavarësisht pretendimeve të bëra më parë nga drejtuesit e Federatës Serbe. Në mbrëmje Ministria e Jashtme në Beograd ka përgatitur një notë proteste dhe thotë se ka thirrur ambasadorin shqiptar, Ilir Boçka për t’ia dorëzuar.

FOTO GALERI
10/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA