Kombëtarja serbe para nisjes: Nuk kemi frikë, gati të luajmë

07/10/2015 20:05

Futbollistët serbë para nisjes për në Tiranë thanë se janë të motivuar për fitore, pavarësisht faktit se me razultat nuk arrijnë asgjë.

Në aeroportin e Beogradit ata zgjuan kureshtjen e një numri të vogël njerëzish dhe pas rutinës para flutirimit thanë se nuk kanë frikë të shkojnë në Shqipëri.

“Jam i gatshëm për të luajtur. Do të luajmë kundër një ekipi të shkëlqyer dhe jemi përgatitur për këtë. Atmosfera mund të ndikojë vetëm pozitivisht, pasi akush nuk dëshiron të luaj në tribuna të zbrazur siç kishim fatin ne”, tha Nemanja Matiç.

Gazetarët serbë interesoheshin kryesisht lidhur me sigurinë që do të jetë në Shqipëri dhe kërcënimet ndaj futbollistëve. Por kryetari i Federatës Serbe, Tomisllav Karaxhiç shprehu besimin se do të fitojnë futbolli dhe ekipi më i mirë.

“Kemi marrë garanci për sigurinë. Nuk shoh arsye që shqiptarët të rrezikojnë rastin për Evropianin, e sidomos kur janë kaq afër”, tha Karaxhiç.

Një nga gazetarët që nisej për herë të parë në Tiranë ishte edhe Vladimir Pajiç, për të cilin çdo gjë është e panjohur.

“Nuk e dimë se çfarë të presim. Kryesisht flitet për sigurinë por pikërisht për këtë arsye nuk pres probleme. Por shoh tek kolegët, tek familjet dyshime se ku jemi duke shkuar dhe çfarë do të bëjmë. Futbollistët nuk janë në tension dhe besoj që gjithçka do të jetë në rregull”, tha ai.

Në opinionin serb kjo ndeshje pritet me tension sa i takon sigurisë, por pavarësisht disa përpjekjeve për të krijuar situata të tilla, Federata Serbe kësaj radhe është munduar më shumë të qetësojë situatën.

Top Channel