Kosovë, rifunksionalizohet Kardiokirurgjia; mungonin mjekët

06/10/2015 00:00

Klinika e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të jetë e gatshme për pranimin e pacientëve nga java e ardhshme, pas disa muajsh që ky repart ishte jashtë funksionit për shkak të mungesës së stafit.

Ministria e Shëndetësisë ka arritur të sigurojë dy kardiokirurgë, të cilët bashkë me specializantë dhe stafin tjetër përcjellës do të ofrojnë shërbime gjatë 24 orëve, të cilat për periudha të ndryshme janë kryer vetëm në dy spitale private në Prishtinë.

“Duke nisur nga java tjetër, mund të themi se do të jemi në gjendje të bëjmë pranimet e para të pacientëve dhe të fillojmë operimet e para”, tha Raif Qavolli, ushtrues detyre i drejtorit të Klinikës kardiokirurgjike, QKUK.

“Është fat i mirë, që në Kosovë kemi momentalisht tri spitale, të cilat ofrojnë shërbime të operacioneve në zemër. Janë edhe dy spitale private përveç spitalit publik dhe personalisht mendoj se publiku do të jetë kryesori dhe rregullatori kryesor i shërbimeve kardiokirurgjike në Kosovë”, tha Avdyl Krasniqi, kryetar i Këshillit për rifunksionalizmin e Kardiokirurgjisë.

Klinika e Kardiokirurgjisë në QKUK ka pasur vazhdimisht probleme, duke bërë kështu që për disa kohë të mbetet jashtë funksionalitetit. Lidhur me këtë, ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani u zotua se, dikasteri që ai drejton do të angazhohet që mos të ketë më ndërprerje të tilla.

“Ne si ministri, dhe qeveria në përgjithësi, do t’i qëndrojmë pranë këtij ekipi, 24 orë dhe në çdo moment, me krijimin e kushteve, respektivisht me furnizim dhe çdo mbështetje tjetër të nevojshme. Nëse ne u qëndrojmë afër si Ministri e Shëndetësisë dhe si Qeveri, e i përkrahim në vazhdimësi, nuk ka arsye pse ne të mos shpresojmë, që ky shërbim të jetë i qëndrueshëm dhe të ketë vazhdimësi edhe në Kosovë”, tha Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë, Kosovë.

Reparti i Kardiokirurgjisë në QKUK ishte jashtë funksionit që nga muaji prill.

Top Channel