Meta: Dekriminalizim për t’i dhënë fund politikës helmuese

05/10/2015 17:35

Dekriminalizimi, reforma në drejtësi dhe ekonomia ishin tri pikat kyçe ku u ndal Ilir Meta në fjalën e mbajtur para Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Meta vlerësoi faktin që procesi i dekriminalizimit është futur në shinat e dialogut mes dy palëve dhe kërkoi që ky proces të përmbyllet sa më shpejt, në mënyrë që, siç tha ai, të çrrënjoset njëherë e mirë çdolloj ndikimi kriminal në politikën e vendit dhe të vendosën edhe standardet më të larta të integritetit të politikanëve.

“Ky proces ka hyrë në trasenë e konsensusit dhe jemi të interesuar që ky proces të përfundojë sa më shpejt. Të dyja drafet janë më shumë se 90 përqind të përafërta dhe shpresojmë që diferencat të kapërcehen me konsensus dhe nëse jo, kemi rënë dakort t’i drejtohemi Komisionit të Venecias dhe për të pranuar çdo mendim të tij. Kjo është e domosdoshmë për t’i dhënë fund një periudhe të shëmtuar të politikës shqiptare dhe një debati e retorike mjaft helmuese”, tha Meta.

Sa i takon reformës në drejtësi, kreu i LSI-së kërkoi një debat publik për ndryshimet kushtetuese.

“Çështja e dytë është reforma në drejtësi. Është me rëndësi që procesi po ecën pas përgatitjes së draftit, por duhet që ndryshimet kushtetuese të bëhen me debat publik për të forcuar sundimin e ligjit dhe goditjes shembulllore të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, vlerësoi Meta.

Ilir Meta ripërsëriti mbështetjen për aksionin kundër informalitetit, megjithatë këtë mbështetje e shoqëroi me një “por”.

“Ekonomia është kryefjala e angazhimit tonë dhe duhet gjithçka për të përmirësuar situatën ekonomike, që paraqet sfida të jashtëzakonshme. Ne përkrahim të gjitha përpjekjet apo aksionet për formalizimin e ekonomisë, por është shumë e rëndësishme që të kemi një strategji më të qartë për rritjen ekonomike të vendit dhe për këtë duhet të kontribuojnë të gjithë përfaqësuesit tanë, që tani me propozime konkrete sa i takon projekbuxhetit të ri”, tha Meta.

Kreu i LSI-së u ndal edhe tek çelja e negociatave, që sipas tij, varen thellësisht nga ecuria e reformave sa i takon dekriminalizimit dhe asaj në drejtësi.

Meta përshëndeti raportin e ODIHR për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit dhe kërkoi nga klasa politike që të angazhohet për të korrigjuar problemet e hasura në këtë raport. Ai u bëri thirrje të zgjedhurve vendorë të LSI-së, që të angazhohen në përmbushjen e zotimeve të marra përpara elektoratit, jo vetëm si pjesë e kësaj force politike, por si pjesë e një koalicioni qeverisës edhe në nivel vendorë.

Top Channel