Kosovë, tryezë me shoqërinë civile për zgjidhjen e krizës

05/10/2015 12:45

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka mbajtur një tryezë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medieve, për të marrë propozimet e tyre lidhur me zhbllokimin e punës së Kuvendit.

Kryeparlamentari kosovar vazhdon të ngulmojë se, nuk do të përdorë sigurimin e Kuvendit e as Policinë, për të nxjerrë me dhunë deputetët e opozitës, që nuk lejojnë mbajtjen e seancave.

Por ai tha se, pas konsultave që po bën me përfaqësues të organizatave të ndryshme, i duhet të gjejë një formë për ta zhbllokuar Kuvendin, ndërsa ftoi opozitën, që pakënaqësitë ndaj të tjerëve mos t’i shfaqë duke penguar seancat.

“Nuk kam dëshirë, që Kuvendi të shndërrohet në një vend të demonstrimit të forcës, sidomos për ata që janë të pafuqishëm. Ai është vendburim i legjitimitetit të pushtetit, por jo për demonstrimin e forcës. Kriza aktuale politike është e tillë, që nuk ka të bëjë fare me Kuvendin dhe këtu opozita nuk po tregohet e ndershme. Nëse ata kanë probleme, nëse janë të vërtetë e të sinqertë për ato që kanë për marrëveshjet, atëherë nuk kanë aspak të drejtë të ma ndalin mua mikrofonin, as 90 deputetëve të tjerë, sepse atje të gjithë jemi të zgjedhur. Po e them edhe një herë se, Kuvendi nuk është një vend, të cilin e kanë zgjedhur me të mirë për të bërë teatër, ndaj dhe nuk do t’u japim pretekste për të shpallur revolucion nga teatri”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari kosovar u këshillua në këtë tryezë, që të bëjë përpjekje për dialog me udhëheqësit e partive politike dhe të mos thërrasë seanca, ku dihet epilogu bllokues.

“Parlamenti i Kosovës nuk mund të bllokohet duke shkelur mbi rregulloren dhe procedurat, të cilat garantojnë funksionalitetin e tij. Gjithsesi, në situatën ku jemi, qëndrimi ynë ka qenë për një një ndërhyrje, e cila ta zhvillojë debatin mbi Parlamentin apo debatin ndërpartiak mes partive politike, që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Sigurisht, kjo vjen për shkak të mungesës së një dialogu mes Qeverisë dhe opozitës, apo edhe nga fakti se tani opozita është duke kërkuar, që të mos ketë dialog pas një marrëveshje të nënshkruar”, tha Ismet Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës.

“Ne vlerësojmë se, deri në këtë fazë, është vendimi i duhur që mos të lejohet ndërhyrja e sigurimit dhe nxjerrja e deputetëve jashtë seancës plenare. Besojmë se duhet të bëjmë përpjekje, që të nisë një dialog mes subjekteve politike. Ju, si kryetar i Kuvendit, e keni shfrytëzuar autoritetin tuaj dhe keni ftuar në takim përfaqësuesit e grupeve opozitare në Kuvend, por ata nuk i janë përgjigjur ftesës deri më tani. Mund të konsiderohet edhe ndërhyrja e Presidentes për të lehtësuar një takim mes krerëve të partive, meqë pas bllokadës së parë rezulton një dozë mosbesimi nga partitë opozitare, pas vendimit të Presidentes për të mos nominuar kandidatin e tyre për kryeministër. Megjithatë, në qoftë se edhe një takim i tillë nuk do të jepte rezultate, atëherë duhet të mblidhet Kryesia dhe duhet të vendoset, nëse është e udhës, që të merren masa më radikale. Nëse merren si standarde ndërkombëtare në këto raste, parashikohet pezullimi i deputetëve, moslejimi i hyrjes në seanca plenare”, tha Rinor Beka, nga Instituti Nacional Demokratik i SHBA-ve.

Përfaqësues të tjerë propozuan që, në këtë krizë të ndërhyjë edhe Presidentja e vendit dhe të bëjë përpjekje, që t’i takojë të gjithë udhëheqësit. Gjithashtu u propozua që marrëveshjet e kontestuara nga opozita të dërgohen në Kuvend për një ratifikim të ri, me dy të tretat e votave të deputetëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA