Jurgen Klopp firmos për Liverpulin?

05/10/2015 16:10

Pushimet e Jurgen Klopp duket se do të përfundojnë më shpejt nga sa kishte planifikuar ish-trajneri i Dortmundit në momentin kur vendosi të largohej nga stoli i verdhezinjëve.

Mediat britanike raportojnë për arritjen e një marrëveshjeje mes drejtuesve të Liverpulit dhe teknikut gjerman. Të njëjta burime, thonë se drejtuesit e skuadrës angleze kanë përshpejtuar përpjekjet për të sjellë në “Anfield Road” një emër të njohur të stolit pas largimit të Brendan Rogers.

Përflitet për një kontratë që do ta mbajë Jurgen Klopp të mbërthyer për tri vite me skuadrën e Liverpulit. Megjithatë, për momentin asgjë nuk është zyrtare. Si klubi, ashtu edhe trajneri nuk kanë komentuar zërat, ndërkohë që në listën e të kontaktuarve thuhet se është edhe Carlo Ancelotti, edhe ky “i papunë”.

Stoli i Liverpulit mbeti bosh pas shkarkimit të Brendan Rogers. Ky i fundit ishte viktimë e rezultateve të dobta të skuadrës, i fundit 1-1 të dielën në derbin me Evertonin.

Top Channel