Isa Mustafa, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi dhe Bekim Haxhiu janë vetëm disa nga dhjetëra mbajtës të funksioneve publike që me vendimin e Gjykatës së Apelit, përveç pagës për funksionet që ushtrojnë, do të marrin edhe nga një gjysmë page prej Universitetit të Prishtinës, ku janë të angazhuar në procesin mësimor.
“Telegrafi” ka mësuar se duke filluar nga 12 tetori 2015, kryeministri Isa Mustafa do të marrë përsëri 715 euro në muaj nga Universiteti i Prishtinës, nëse do të vazhdojë të mbajë 3 orë në javë në cilësinë e profesorit të rregullt. Po për atë shumë do të shtohen të ardhurat mujore edhe të ministrit Arsim Bajrami, po ashtu profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.
Ministrat Avdullah Hoti, Haki Demolli dhe Hajredin Kuçi do të marrin nga 642 euro në muaj, pasi kanë një gradë akademike më pak sesa kryeministri dhe ministri i Arsimit.
Nga gjysmë page prej Universitetit të Prishtinës, në pajtim me gradat akademike që mbajnë, do të marrin edhe ministrat Hykmete Bajrami, Ferid Agani, zëvendësministri Ferat Shala, deputetët Bekim Haxhiu-Kamishi, Mytaher Haskuka, Vjosa Osmani, Besim Beqaj e Shpejtim Bulliqi.
Më 12 tetor 2015, Universiteti i Prishtinës duhet të zbatojë vendimin e Inspektoratit të Punës të datës 15 janar 2015 për kthim në listë të pagave të bartësve të funksioneve publike, të cilët ishin larguar nga kjo listë me vendimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.
Kjo, pasi Gjykata e Apelit e hoqi masën e përkohshme të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën ishte pezulluar përkohësisht vendimi i Inspektoratit derisa të përfundojë kontesti gjyqësor në mes të Rektoratit të UP-së dhe Inspektoratit të Punës.
Top Channel