PTK, në Arbitrazh; Mustafa: Po frikësohen investitorët

03/10/2015 00:00

Dështimi i privatizimit të Post-Telekomit të Kosovës dhe nisja e procesit të arbitrazhit ndërkombëtar për atë proces, ka bërë që për momentin të ndalen përpjekjet për ta privatizuar këtë kompani publike.

Kryeshefi ekzekutiv i Post-Telekomit, Agron Mustafa tha se arbitrazhi po frikëson investitorët, duke bërë që ata të hezitojnë të fusin kapitale në proceset me garim të hapur.

Në një intervistë për Top Channel, Mustafa tha se, pas disa vitesh rënieje të vlerës së PTK-së, tani rënia është frenuar dhe për dy vite – sipas tij, – kompanisë do t’i rritet vlera dhe atëherë mund të privatizohet.

“Është një rregull që të gjithë e dinë. Njerëzit, aty ku ka procese gjyqësore nuk duan dhe nuk janë të interesuar që të fillojnë apo të mendojnë të hedhin kapital të vetin, sepse rreziku është më i lartë. Me fjalë të tjera, atëherë kur do të duhet që ky proces të fillojë, mendoj se Telekomi i Kosovës duhet të privatizohet dhe jam pro procesit të privatizimit nga këndvështrimi i drejtorit të Përgjithshëm të Telekomit të Kosovës. Por, vlerësimi im është që procesi, si proces, nuk duhet të fillojë para vitit 2017”, tha Agron Mustafa, kryeshef ekzekutiv i PTK-së.

Për kryeshefin ekzekutiv të PTK-së, hyrja e një operatori  të telefonisë serbe në disa pjesë të Kosovës, në bazë të marrëveshjes për Telekomin me Serbinë, duhet të monitorohet mirë nga shteti kosovar, në mënyrë që operatori serb të mos funksionojë përtej territorit të parashikuar në marrëveshje.

“Dua të besoj se, funksionimi i këtij operatori – që do të vijë, – do të jetë i fokusuar vetëm aty ku parashikohet nga marrëveshja. Kjo është një punë që u përket autoriteteve tona kosovare, konkretisht Rregullatori, që ta bëjë atë të sigurtë apo të na sigurojë neve, operatorëve të tjerë ligjorë që jemi prej një kohe të gjatë këtu në Kosovë, që këta do të mbesin vetëm në ato territore ku kanë licencën, siç është nënshkruar edhe marrëveshja”, tha më tej Agron Mustafa.

Kompania publike kosovare, sipas Mustafës, i ka bërë të gjitha përgatitjet për tranzicionin dhe kalimin e të gjithë numrave në kodin e ri shtetëror, që do të ketë Kosova.

“Ne jemi të përgatitur qysh sot, sepse e dimë që do të jetë një periudhë tranzitore. Nuk është se do të jetë diçka e shpejtë, sot do të na jepet kodi dhe nesër të kalojmë në kodin 383. Megjithatë është një periudhë, për të cilën kemi komunikuar dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me Telekomin e Monakos, për shkak se prefiksin e kemi marrë nga Principata e Monakos. Kjo periudhë tranzitore parashikon të gjitha aktivitetet e domosdoshme, që duhen përgatitur për të kaluar prefiksin e kodit shtetëror, kurdo që do ta marrim”, tha Agron Mustafa.

Duke folur për brezin e ri të frekuencave, të cilin ende nuk e ka lëshuar për shfrytëzim Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, drejtori i PTK-së tha se pret që, gjatë muajit të ardhshëm, ai të lëshohet dhe me këtë rast interneti “4G” do të ketë një shpejtësi shumë më të madhe sesa deri më tani.

Mustafa tha se deri tani, Post-Telekomi i ka dhënë Qeverisë së Kosovës 475 milionë euro, në emër të dividentit.

Top Channel