25-vjetori i ribashkimit të Gjermanisë mblodhi në Teatrin e Operas dhe Baletit, me ftesë të Ambasadës Gjermane, politikanë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe personalitete të shquara në vend.
Ambasadori Helmut Hoffman solli në kujtesë një pjesë të historisë, që pas kapërcimit të ndarjes së Evropës solli edhe rënien e diktaturës në Shqipëri dhe rikthimin e vendit në familjen evropiane, siç u shpreh ai.
Duke shprehur mbështetjen gjermane për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zoti Hoffman vlerësoi përpjekjet e deritanishme, por shtoi se ka vendi ka ende punë për të bërë.
“Gjermania mbështet përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shumëçka është arritur, por shumë mbetet ende për të bërë. Sjell këtu si shembull reformën tejet të rëndësishme në drejtësi, e cila mund të jetë e suksesshme vetëm nëse do të arrijë të rivendosë vërtet besimin në sistemin e drejtësisë”, deklaroi Hoffman.
Të pranishmit ndoqën “Carmina Burana” të Carl Orff, në një performancë të rrallë baleti. Po ashtu, Tetori Gjerman këtë vit do të organizohet nën moton “25 vjet ribashkim i Gjermanisë – 25 vjet transformim në Shqipëri”.
Top Channel