Tensionet politike në Kosovë, analiza e Artan Muhaxhirit

02/10/2015 00:00

Opozita bllokoi sërish punimet në Kuvendin e Kosovës këtë të enjte. Deputetet këmbëngulën se nuk do të lejojnë mbajtjen e asnjë seance derisa qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë. Për këto zhvillime të fundit në Prishtinë foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” analisti politik, Artan Muhaxhiri.

Pandi Gjata: Opozita në Kosovë është e vendosur të bllokojë punimet e Kuvendit. Si e shikon këtë situatë të re politike?

Artan Muhaxhiri: Jemi në krizë parlamentare, politike. Kjo ka ardhur si pasojë e hendekut të krijuar nga pozicionet e skajshme mes pozitës dhe opozitës. Kjo krizë është krijuar për fajin e të dyja palëve. Së pari ka qenë qeveria ajo që ka bërë një gabim të madh, duke qenë se ka dashur që marrëveshjet e rëndësishme të Brukselit të mos ishin transparente. Në anën tjetër opozita ka vendosur disa kritere, të cilat mendoj se janë të papërballueshme. Anulimi i marrëveshjeve është një gabim tjetër nga ana e opozitës, pasi edhe ajo është e vetëdijshme që në fakt këto janë kërkesa thuajse të pamundura, pasi nuk mund të ketë një anulim të marrëveshjes kur dihet se ato janë arritur pas një presioni të madh. Unë mendoj se edhe dorëheqja e Kryeministrit Mustafa nuk është një kërkesë realiste sepse koalicioni PDK-LDK ka shumicën dërrmuese të vendeve në parlament. Pra, kemi një betejë të padobishme mes pozitës dhe opozitës.

Pandi Gjata: Mos është kujtuar vonë opozita në Kosovë për të kërkuar anulimin e këtyre marrëveshjeve? Dhe në anën tjetër, ajo që po ndodh aktualisht në Kuvendin e Kosovës mos është një imitim i situatave që kanë ndodhur në të kaluarën në Shqipëri?

Artan Muhaxhiri: Po ashtu si edhe në raste të tjera, opozita është e vonuar. Këtu është krijuar një traditë me reagime vetëm pasi të përfundojnë proceset, e njëjta gjë ndodhi edhe me Gjykatën Speciale. Reagimet erdhën pasi ajo u bë një gjë e kryer, derisa po zhvilloheshin bisedimet nuk pati asnjë reagim. Edhe në këtë rast nuk kemi pasur asnjë alternativë tjetër në lidhje me minoritetet nga ana e opozitës. Prandaj duket i çuditshëm edhe ky reagimi i ashpër pasi ka përfunduar procesi i marrëveshjes për asociacionin. Nëse do të kishte pasur një propozim të ndonjë projekti nga opozita, atëherë edhe Mustafa nuk do ta kishte kaq të lehtë t’i nënshkruante këto marrëveshje. Edhe imitimi i skenave nga Parlamenti i Shqipërisë është e saktë, pasi deri tani nuk ka pasur asnjë rast të tillë të dhunës. Ka pasur vetëm protesta simbolike, ky është një degradim i politikës kosovare.

Pandi Gjata: Paralelisht me bllokimin e Parlamentit do të nisin edhe protestat e opozitës. A e shikon më të komplikuar hyrjen drejt një krize të re politike në Kosovë?

Artan Muhaxhiri: Kjo do të varet nga aftësia e opozitës për të nxitur protestuesit të dalin në rrugë. Unë besoj se nuk do të ketë numër të madh protestuesish sepse çështja e asociacionit nuk është kauzë. E dyta, qytetarët e Kosovës tashmë janë të mësuar se kur vjen puna te projektet ndërkombëtare, atëherë pak gjë mund të ndryshohet qoftë edhe me protesta. Unë mendoj se do të ishte shumë më e dobishme dhe do të kishte më shumë sens edhe për qytetarët, nëse këto protesta do të zhvilloheshin për ndonjë çështje konkrete, siç mund të jetë korrupsioni apo papunësia. Tani mbetet për t’u parë edhe mobilizim i opozitës. Për faktin e vetëm që kjo çështje po zgjatet prej javësh, unë mendoj se edhe opozita e ka një lloj frike se përgjigja e qytetarëve nuk do të jetë maksimale. Por sido të shkojë, asnjë protestë nuk e zëvendëson dialogun.

Top Channel