Koret raciste antishqiptare, Lokomotiva kërkon falje

02/10/2015 00:00

Lokomotiva e Moskës kërkon falje publike për koret raciste që u dëgjuan në stadium, gjatë sfidës së grupit H të Europa League me Skënderbeun, e fituar me rezultatin 2-0.

Klubi rus, nëpërmjet një komunikate për shtyp deklaroi se, i vjen keq për atë që ndodhi dhe se kërkojnë që UEFA të marrë masa ndëshkuese.

“Në Cherkizovo u zhvillua ndeshja e Europa League mes Lokomotivës dhe Skënderbeut, sfidë të cilën skuadra jonë e fitoi me rezultatin 2-0, – lexohet në komunikatën e skuadrës ruse. – Por atmosfera në stadium u errësua nga sjellja e një grupi personash, që filluan të thërrisnin kore raciste dhe të nxisnin dhunën. Lokomotiva e Moskës shpreh keqardhjen për atë që ndodhi dhe mbështet politikën e UEFA-s për tolerancë zero ndaj çdo lloj diskriminimi. Duam t’i kërkojmë falje skuadrës së Skënderbeut dhe tifozëve të saj për ngjarjet në stadium. Garantojmë se fajtorët do të ndëshkohen në bazë të ligjit rus. Do të merren të gjitha masat, që incidente të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen”.

Në fund, skuadra e Lokomotivës së Moskës u bëri thirrje tifozëve të saj, që të bashkohen kundër manifestimeve diskriminuese dhe abuzive, pasi një sjellje e tillë negative në tribuna është e papranueshme.

Top Channel