Në kuadër të qëndrimit në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e sesionit të 70 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi takime me homologun egjiptian Sameh Shoukry dhe atë të Kubës, Bruno Eduardo Rodriguez Parrilla.
Gjatë takimit të zhvilluar me zotin Shoukry, dy ministrat vunë në dukje marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona dhe shprehën vullnetin për avancimin e mëtejshëm të tyre, sidomos në aspektin ekonomik.
Në takim u diskutua edhe mbi mbajtjen e konsultimeve diplomatike midis dy Ministrive të Jashtme dhe të Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ekonomik.
Gjithashtu u theksua nevoja e plotësimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dypalësh, sidomos sa i takon finalizimit sa më shpejt të marrëveshjes mbi transportin detar.
Palët shkëmbyen pikëpamje edhe mbi zhvillimet në rajon dhe më gjerë, si dhe nevojën e bashkëpunimit e koordinimit në të mirë të përpjekjeve ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit.
Ndërsa në takimin tjetër, ministri Bushati dhe homologu kubanez Rodriguez Parrilla shprehën vullnetin për të vendosur raportet dypalëshe në kuadër të zhvillimeve më të fundit ndërkombëtare.
Ministri Bushati vlerësoi si tepër pozitive rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit Bushati i kërkoi homologut Parrilla që Kuba të punojë në drejtim të njohjes se shtetit të Kosovës, si një realitet i pakthyeshëm dhe tashmë i konsoliduar, si dhe inkurajoi që të mbështet kërkesa e Kosovës për t’u pranuar në UNESCO.
Top Channel