Skënderbeu mposhtet 2-0 në Moskë; sërish thirrje “vritini shqiptarët”

01/10/2015 00:00

Lokomotiva e Moskës siguroi fitoren e dytë në grupin H, në po kaq ndeshje të luajtura në Europa League, pasi mposhti 2-0 kampionët e 5-fishtë të Shqipërisë, Skënderbeun, një ekip tepër energjik në fushë kësaj radhe.

Për moskovitët mjaftuan nga një gol në secilën pjesë, nga Baye Oumar Niasse dhe Aleksandr Samedov, për të siguruar fitoren e parë në shtëpi në Europë që prej shkurtit të vitit 2012. Ndaj një ekipi pa eksperiencë në të tilla faza të kompeticioneve europiane, e megjithatë një Skënderbe tepër i frymëzuar në fushë, rusët nuk e patën aq të lehtë sa ç’mendohej në fillim.

Rasti më i mirë për korçarët ishte padyshim ai i sulmuesit Hamdi Salihi, i cili gjuajti topin me kokë drejt një porte thuajse të boshatisur, por portieri moskovit bëri mrekullinë duke e devijuar topin në sekondat e fundit në goditje nga këndi.

E veçanta e kësaj ndeshjeje ishte pikërisht rikthimi i koreve “vritini shqiptarët” (Ubij, ubij, siptari), të cilat i kemi dëgjuar gjatë ndeshjes së Beogradit mes Serbisë dhe Shqipërisë, takim që u ndërpre përpara kohe për shkak të trazirave të tifozëve serbë në fushën e lojës.

Nga ai takim, kuqezinjtë e De Biasit siguruan fitoren 3-0 në tavolinë pasi shkuan deri në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë të Zvicrës, ndërsa në takimin e sotëm lojtarët e ekipit korçar sinjalizuan arbitrin për brohoritjet, por gjyqtari vendosi që loja të vazhdonte.

Nuk mund të thuhet me siguri se çfarë mund të ndodhte nëse brohoritjet raciste ndaj shqiptarëve do të vazhdonin, por ky sërish nuk është një shembull i duhur për t’u ndjekur, sidomos tani që atmosfera sa vjen e ndizet përpara sfidës së kthimit mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”, më 8 tetor.

Top Channel