Nju Jork, delegacioni kosovar takohet me zv.Sekretarin e Shtetit, Blinken

01/10/2015 00:00

Takimet e delegacionit kosovar në Nju Jork kanë vazhduar edhe gjatë së enjtes, me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Antony J. Blinken, të SHBA-ve.

Gjatë takimit të kryeministrit Isa Mustafa me Blinken, ku ishin të pranishëm edhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Victoria Nuland; zëvendëskryeministri e njëkohësisht ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi; ministri i Brendshëm Skënder Hyseni; si dhe ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku; u bisedua për marrëdhëniet dypalëshe si dhe mbështetjen e SHBA-ve për Republikën e Kosovës.

Siç njofton qeveria e Kosovës në një komunikatë për shtyp, zëvendëssekretari Blinken përgëzoi për udhëheqësinë e fuqishme të Qeverisë së Kosovës në raport me proceset e rëndësishme për Republikën e Kosovës por dhe më gjerë.

Zëvendëssekretari Blinken vlerësoi vendimet e fundit, që janë marrë nga Republika e Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale, marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, si dhe marrëveshjen për demarkacionin (përcaktimin e kufirit) me Malin e Zi.

Zëvendëssekretari Blinken shprehu gjithashtu përkrahjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INTERPOL, për nënshkrimin e MSA-së dhe për proceset e tjera integruese në strukturat euroatlantike.

Zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony J. Blinken përgëzoi Republikën e Kosovës edhe për hapat e ndërmarrë në luftën kundër radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke përfshirë miratimin e ligjit për ndalimin e bashkimit të luftëtarëve në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës, si dhe miratimin e strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm, duke e konsideruar Kosovën shembull në rajon.

Top Channel