Për avokat Spartak Ngjelën, Shqipëria vuan në funksion të së drejtave dhe jo të demokracisë. Një pjesë e madhe, thotë Ngjela, nuk arrin dot ta ndajë demokracinë nga konstitucionalizmi. Për këtë arsye, ai ka botuar librin “Pesë leksione për konstitucionalizmin”.
“Ne vuajmë në funksion të të drejtave, jo demokracisë. E kisha vënë re që nuk e dallojnë dot demokracinë nga konstitucionalizmi. Janë dy pjesë të një procesi. Demokracia është mazhoritare, konstitucionalizmi minoritar. Të drejtat e pakicës shkelen, të shumicës s’kemi parë”, tha Ngjela në një takim promovues.
Avokati, në prag të reformave ligjore në vend, mendon se nuk janë problem ligjet, por bërja e drejtësisë.
“2.700 vjet më parë Aristidi tha ‘nuk është ligji kryesori’. Ligje, tha ai, kanë dhe kafshët. Po të mos kenë ligje kafshët, nuk rregullohen dot në grup. As shpendët nuk shtegtojnë dot. Ajo çfarë na ndan nga kafshët, tha ai, është principi etik ose moral i drejtësisë sot. Kjo është arsyeja që është kaq e fortë gjykata. Pyetja a jep apo jo drejtësi është një çështje që i takon shoqërisë ta zgjidhë”, tha Ngjela.
Libri i avokat Ngjelës është i ndarë në pesë pjesë, në formë leksionesh dhe shpjegon konstitucionalizmin si filizofi të demokracisë, marrëdhënien me liberalizmin dhe demokracinë, marrëdhënien e tij me shoqërinë e të tjera.
Top Channel