Heqja e barrikadës mbi Ibër nis më 15 tetor, rivitalizohet zona “konfliktuale”

30/09/2015 00:00

Heqja e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” në urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, si dhe lirimi i kësaj ure për qarkullim janë pjesë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, e cila është nënshkruar në bisedimet e Brukselit mbi ndarjet mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut thotë për “Radion Europa e Lirë” se, projekti për heqjen e të ashtuquajturit “Parku i paqes” dhe rivitalizimi i urës kryesore mbi lumin Ibër do të nisin më 15 tetor.

“Kjo do të fillojë të zbatohet prej 15 tetorit e deri në qershor të vitit të ardhshëm, ku urës së Ibrit do t’i bëhet rivitalizimi i i tërësishëm, si dhe do të bëhen dy rrethrrotullime, në jug dhe në veri. Pastaj do të bëhen kopshte me lojëra për fëmijë në të dyja anët. Do të jetë gati për qarkullim në qershor të vitit të ardhshëm, duke mundësuar lëvizjen e lirë për këmbësorët, biçikletat dhe të gjitha automjetet motorike”, tha Bahtiri.

Ai ka theksuar se, tashmë, për fillimin e zbatimit të projektit janë të informuara të gjitha strukturat e dy komunave, të jugut dhe të veriut të Mitrovicës.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç nuk ka qenë i disponueshëm për të konfirmuar, nëse strukturat e Komunës së Mitrovicës së Veriut janë të njoftuara, se kur do të nisë zbatimi i projektit për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Por, kryetarja e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Ksenija Bozhoviç thotë për të njëjtën media se, përveç faktit që është arritur marrëveshja, institucioni që ajo kryeson ende nuk ka informacione lidhur me këtë çështje.

Top Channel