Nju Jork, Jahjaga takohet me Presidentin Obama

29/09/2015 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mori pjesë në pritjen tradicionale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, për udhëheqësit e shteteve pjesëmarrëse në sesionin e rregullt vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, kanë vazhduar edhe aktivitetet e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në Nju Jork. Ai po merr pjesë në punimet e samitit global të udhëheqësve në luftën kundër ISIS-it dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Mustafa zhvilloi gjithashtu një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Iyad Ameen Madani. Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, u bisedua për mbështetjen e mëtejshme të OBI-t për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës së qeverisë, sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Islamik, Iyad Ameen Madani përgëzoi kryeministrin Mustafa, për progresin që po arrihet në Kosovë. Sekretari Madani shprehu mbështetjen konkrete të OBI-t për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe proceset e tjera të rëndësishme.

Top Channel