Kosovë, rikthehen aktakuzat ndaj Limajt si ish-ministër Transporti

29/09/2015 00:00

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sërish aktakuzë ndaj ish-ministrit të Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, dhe 4 të akuzuarve të tjerë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, Limaj dhe të tjerët akuzohen për “krim të organizuar”, “shpërdorim të pozitës zyrtare”, “marrje dhe dhënie ryshfeti” dhe vepra të tjera penale. Gjithnjë sipas Prokurorisë, kjo aktakuzë është ngritur pas një hetimi të gjatë dhe të ndërlikuar të Policisë së EULEX-it, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

Tomë Gashi, avokat i Fatmir Limajt në këtë rast, tha për Top Channel se nuk bëhet fjalë për ndonjë aktakuzë të re, por për modifikim të dy aktakuzave të mëhershme që nga viti 2012.

“Kjo ka të bëjë me një aktakuzë, siç është quajtur të konsoliduar, apo të përmirësuar me urdhër të gjyqtarit të atëhershëm të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Meqenëse gjyqtari i atëhershëm nuk e ka konfirmuar aktakuzën fillestare, që është ngritur në vitin 2012, në këtë rast thuajse kemi të bëjmë me aktakuzë të njëjtë, përveçse janë hequr krejtësisht nga aktakuza dy vëllezërit e Fatmir Limajt, Florim Limaj dhe Demir Limaj”, tha Tomë Gashi, avokat i Fatmir Limajt.

Gashi shtoi se, është e çuditshme sesi kjo aktakuzë e para tri viteve ngrihet ndaj Fatmir Limajt, pikërisht pak ditë para se ndaj tij të nisë procesi gjyqësor për krime lufte në rastin “Kleçka”.

“Duket se kemi të bëjmë edhe me presion politik ndaj vetë Fatmir Limajt, posaçërisht për shkak të aktivitetit të tij politik. Kjo, ngaqë tani, partitë opozitare janë duke deklaruar haptazi se janë në përgatitje të protestave sa më të mëdha të mundshme dhe të demonstratave, kundër vendimit të qeverisë së zotit Isa Mustafa, për nënshkrimin e asaj që quhet ‘Zajednicië’, apo bashkësi e komunave serbe në Kosovë”, tha më tej Tomë Gashi.

Për aktakuzën e ngritur ndaj tij ka reaguar përmes llogarisë së tij në Facebook edhe vetë Fatmir Limaj, i cili ka akuzuar Prokurorinë për manipulim të publikut, ndërsa ka pyetur nëse ka drejtësi të pavarur në Kosovë apo jo.

Top Channel