Reforma në drejtësi, drafti i PD në Komisionin e Venecias

28/09/2015 20:35

Komisioni parlamentar për reformën në drejtësi ka pranuar që të dërgojë në Komisionin e Venecias, për një gjykim final, edhe rekomandimet e opozitës.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti demokrat Eduart Halimi, në përfundim të mbledhjes së komisionit.

“Opozita do të përgatisë amendamentet dhe komentet e saj në mënyrë që drafti të shkojë në Komisionin e Venecias. Kërkesa jonë u miratua dhe përshëndesim të gjithë faktorët që ndikuan në këtë drejtim”, ka deklaruar Halimi.

Deputeti demokrat ka vënë në dukje se, përkundër refuzimeve që mazhoranca i kishte bërë draftit të opozitës, këtë herë ajo votoi pro tij.

“Ne kërkuam që drafti i përgatitur prej tyre të shkonte tek Komisioni i Venecias bashkë me draftin tonë. Kjo kërkesë ishte rrëzuar disa herë nga mazhoranca, por tani u miratua. Do të jetë Komisioni i Venecias që do të japë vlerësimin për këtë reformë”, ka thënë Halimi.

Ai ka theksuar se, insistimi i opozitës për këtë variant ka qenë pasi ekspertët vendas, por edhe ata të huaj, konstatuan në draftin e qeverisë kapjen e drejtësisë nga mazhoranca.

“Pjesa jonë ka të bëjë me kriteret për emërimin e gjyqtarëve. Drafti i mazhorancës parashikonte eleminimin e studentëve të Magjistraturës dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kohës së diktaturës. Sipas draftit të tyre, të gjithë ata që do të kontrollojnë drejtësinë do të emërohen nga mazhoranca Rama-Meta dhe pikërisht për këtë çështje ne insistuam”, ka shtuar Halimi.

Drafit i paraqitur nga ekspertët e nivelit të lartë është kundërshtuar në disa pika nga ana e përfaqësuesve të opozitës, por duke akuzuar nominalisht vetëm ekspertët shqiptarë.

“Ky popull në 46 vite ja ka parë sherrin sistemin të drejtësisë që jepte padrejtësi dhe këtë e bënte bazuar në një kushtetutë, hartuesi i të cilës është kreu i ekspertëve vendas. Që nga 15 ekspertë vendas 8 prej tyre i keni me eksperiencë pune, dy prokurorë, 3 hetues, 3 gjyqtarë, të kohës së komunizmit”, tha Strazimiri.

Ndërsa për deputetin Pandeli Majko, kjo mbledhje e arriti qëllimin e saj.

“Fakti që ne ramë sot dakord t’i konceptojmë të gjitha këto propozime jo të shkruajtura në shkëmb, por në letër; fakti që ne ramë dakord sot që t’i drejtohemi së bashku me të gjitha llojet e rezervave, pozitivizmave dhe negativizmat, Komisionit të Venecias, mendoj se e bën procesin të plotë dhe zyrtar”, u shpreh Majko. 

Top Channel