Prishtinë, panairi i qendrave të përbashkëta rinore me Shqipërinë

28/09/2015 00:00

Të hënën, në Prishtinë është hapur panairi i “Qendrave Rinore 2015”.

Me qëllim rritjen e bashkëpunimit mes të rinjve të të dyja vendeve, ky panair është pjesë e aktiviteteve të kalendarit të përbashkët mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Pjesëmarrëse në panair janë 20 qendra rinore nga Kosova dhe 11 nga Shqipëria, përfaqësues të të cilave i vlerësuan si të rëndësishme organizime të tilla, që sipas tyre ndihmojnë drejt bashkëpunimeve mes të dyja vendeve.

“Ne e vlerësojmë shumë, sepse në të tilla aktivitete ne kemi mundësi të njohim organizata të tjera dhe mund të bëhemi partnerë në një të ardhme, të shkëmbejmë projekte e nisma që ndërmarrin organizatat kosovare dhe ato shqiptare”, tha Brisilda Hasaj, Qendra rinore “Epoka e re”, Fier.

“Normal që do të ndihmojë shumë, për arsye se, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë kemi një përvojë të mirë sa i përket organizimeve dhe motivimit të të rinjve, gjithmonë duke u nisur prej qendrave rinore. Shpresojmë që do të kemi një bashkëpunim të mirë dhe do të japë frytet e veta”, tha Ardian Kolaj, nga Qendra rinore “Pjetër Bogdani”, Prishtinë.

Panairi i “Qendrave Rinore 2015” është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, dhe do të zgjasë dy ditë, ndërkohë që do të përcillet edhe me aktivitete të tjera, si muzikë, vallëzim modern e të tjera.

Top Channel