Kosovë, Tahiri kryeson delegacionin drejt Brukselit për dialogun

27/09/2015 00:00

Delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, ka udhëtuar të dielën për në Bruksel, për të marrë pjesë në raundin e radhës të bisedimeve me Serbinë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Sipas njoftimit të Qeverisë, fokusi i bisedimeve është vlerësimi i gjendjes në zbatimin e disa prej marrëveshjeve, ku janë shënuar ngecje, dhe zgjidhjet e mundshme, ndërsa temat kryesore do të jenë liria e lëvizjes, marrëveshja për njohjen e ndërsjelltë të diplomave universitare, kthimi i dokumenteve kadastrale dhe funksionimi i zyrave ndërlidhëse.

Në këto takime, Qeveria e Kosovës do të paraqesë qëndrimet e saj për problemet e krijuara nga Serbia, në zbatimin e marrëveshjeve në fjalë, si dhe do të kërkojë përshpejtimin dhe zbatimin e plotë dhe cilësor të këtyre marrëveshjeve, duke theksuar rolin e Bashkimit Europian si mjaft të rëndësishëm për konsolidimin dhe progresin e këtij procesi.

Takimet do të mbahen më 28 dhe 29 shtator të këtij viti.

Top Channel