Qendër konsultash në QSUT

26/09/2015 15:35

Pacientët  të cilët nuk janë të shtruar në spital, por që kanë rekomandimin e mjekut të familjes për një konsultë të specializuar me mjekë të QSUT-së, një analizë apo dhe ndërhyrje , nuk do të duhet të enden në radhë nëpër pavione për të pritur mjekun, por një qendër e re konsultash po ndërtohet posaçërisht për shërbimin ambulator.

“Do të përmirësojë shumë shërbimin ambulator mjekësor të QSUT-së, do të shmangë të gjitha ecejaket për pacientët që vijnë në spital për të takuar mjekun për konsultë. Aktualisht sot këto shërbime kryhen në spitale specifike. Ne do t’i centralizojmë në këtë qendër unike të konsultave përmes një sistemi unik online dhe telefonik të prenotimeve, ku pacientët apo qytetarët mund të vijnë të prenotojnë një vizitë me mjekun që duan për të gjitha sëmundjet patologjike apo ndërhyrjet kirurgjikale”, thotë Ogerta Manastirliu, drejtore e QSUT-së.

Në këtë mënyrë shërbimi spitalor dhe ai ambulator do të funksionojnë të ndarë duke mos shqetësuar pacientët e shtruar apo duke krijuar kaos nëpër pavione .Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, tha se kjo qendër pritet të jetë gati pranverën e vitit 2016 dhe do të pajiset me aparatura të parametrave bashkëkohore.

“Akti normativ i buxhetit të shtetit që u miratua në fund të korrikut, morëm 33 mln lekë për pajisjet e nevojshme, që do të thotë që pranverën e ardhshme ne jemi gati për ta vënë në funksionim të plotë këtë qendër konsultash. Do të përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe do të ulim ngarkesën që kanë sot pavionet. Janë 32 kabinete, që do të thotë se këtu të paktën do të realizohen rreth 300 vizita në ditë”, deklaroi ministri Beqaj.

Kjo qendër e re konsultash pritet të rrisë standardet dhe cilësinë e shërbimit në qendrën spitalore më të madhe në vend.

Top Channel