Kosova do të organizojë një forum ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe

25/09/2015 16:20

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka prezantuar para kabinetit konfirmimin e qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për gatishmërinë e organizimit të një forumi ekonomik për sjelljen e investitorëve nga vendi arab në Kosovë.

Thaçi tha se gjatë vitit 2014, qeveria që drejtonte ai kishte kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe një konferencë donatorësh, e tashmë ajo kërkesë ka marrë pëlqimin, gjë që është propozuar të mbahet në fund të muajit tetor, në Prishtinë.

“Duke parë rëndësinë që qeveria i ka dhënë nxitjes së investimeve të huaja, si më herët edhe tani, por edhe reformat e ndërmarra për të përmirësuar klimën e investimeve, kjo nismë vjen në vazhdën e synimeve tona për të sjellë investitorë të huaj në Republikën e Kosovës. Prandaj, do të ishte me rëndësi të shikonim të gjitha ministritë e linjave përkatëse, që duhet të ndërmarrin të gjitha përgatitjet e duhura për projekte konkrete në sektorë të ndryshëm, me qëllim veçanërisht hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Në mbledhjen e kësaj të premteje të qeverisë u ndryshua vendimi i disa ditëve më parë për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, ku parashikohej që ata deri në moshën 35-vjeçare të merrnin pension prej 130 eurosh, ndërsa ata mbi moshën 35-vjeçare të merrnin pension prej 170 eurosh.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi konfirmoi nënshkrimin e udhëzimit administrativ, që tregon kohën se kur mund të aplikojnë veteranët për pensione, si dhe kushtet që duhen plotësuar.

“Realisht, nga e enjtja e ardhshme hapet rruga për aplikim nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dokumentacioni i nevojshëm për realizimin e pensionit të veteranit luftëtar të UÇK-së do të jetë: Dokumenti i identifikimit, vërtetimi i lëshuar nga Zyra për Çështje të Kategorive të dala nga lufta, certifikata e lindjes, certifikata e lindjes së veteranit të UÇK-së, vërtetimi nga Administrata Tatimore e Kosovës, që dëshmon se veterani nuk është në marrëdhënie pune, dy fotografi dhe fatura e energjisë elektrike”, tha Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Ndoshta do të kishte qenë mirë të sqaronim opinionin publik se, prej cilës datë do të fillojnë të paguhen ata?”, pyeti Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë.

“Pagesa e kompensimit fillon që nga dita e aplikimit, që i bie nga 1 tetori. Ne do të shikojmë mundësitë buxhetore dhe, nëse duhet të marrim ndonjë vendim tjetër, edhe mund ta marrim atë”, tha Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe strategjinë për modernizimin e administratës publike dhe ka hequr tatimin doganor për disa mallra, duke përfshirë edhe një numër të barërave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA