Delegacioni i PE viziton Kosovën për kriteret e MSA dhe vizave

25/09/2015 19:10

Një delegacion nga Komisioni për Politikat e Jashtme të Parlamentit Europian, i cili kryesohej nga Ulrike Lunaçek, ka qëndruar të premten në Prishtinë, ku janë zhvilluar takime me krerët më të lartë të shtetit.

Pas takimit me parlamentarët europianë, zyra e Presidentes Jahjaga, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se, në këtë takim, presidentja kosovare e ka njoftuar delegacion e Parlamentit Europian me zhvillimet e përgjithshme në vend, me theks në proceset që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Sipas komunikatës, nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, dhe anëtarët e tjerë të delegacionit kanë shprehur mbështetjen për perspektiven europiane të Kosovës.

Pas takimit me Jahjagën, parlamentarët europianë takuan kryeministrin, Isa Mustafa, teksa ky i fundit ishte i shoqëruar nga ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, dhe nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Edhe në këtë takim, sipas komunikatës së qeverisë është diskutuar për kriteret që ka përmbushur Kosova për MSA-në dhe liberalizimin e vizave, ndërsa kryeministri Mustafa ka thënë se tanimë nuk ka asnjë arsye që të ketë ndonjë vonesë për Kosovën.

Sipas komunikatës së qeverisë, nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek është interesuar për proceset politike aktuale në Kosovë dhe krizën e shkaktuar në Kuvend.

Nënkryetarja e Parlamentit Europian, Lunacek, dhe deputetët e tjerë kanë takuar në Prishtinë edhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe anëtarët e Komisionit për Punët e Jashtme, të cilëve u kanë dhënë mbështetje në punën që bën Kuvendi, për përmbushjen e gjitha detyrimeve dhe përafrimit të legjislacionit mes Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Top Channel