Blatter, zyrtarisht nën hetim penal nga Zvicra

25/09/2015 16:35

Prokuroria e Përgjithshme zvicerane ka njoftuar këtë të premte hapjen e një procedimi penal ndaj presidentit të FIFA-s në detyrë, Sepp Blatter, pas dyshimeve për “keqmenaxhim kriminal dhe shpërdorim detyre”.

Çështja penale përfshin edhe një kontratë, që dyshohej se Blatter ka nënshkruar, e me anë të së cilës ai caktonte të drejtat televizive të Botërorit nën kontrollin e ish-drejtuesit të ndjekur penalisht tashmë të FIFA-s, Jack Warner, të paktën sa u përket lajmeve të publikuara nga zyra e kryeprokurorit zviceran.

Në fakt, një situatë misterioze rrethoi sërish selinë e FIFA-s përpara se të mësohej ky vendim, pasi u anulua në mënyrë të pakuptimtë një konferencë për shtyp e parashikuar për ditën e sotme të Blatterit. Ai pritej të takohej me mediat ndërkombëtare në selinë e trupës më të lartë qeverisëse të futbollit botëror, pas një takimi dyditor të Komitetit Ekzekutiv.

Konferenca për shtyp ishte parashikuar të fillonte më 14:00, por fillimisht u njoftua shtyrja e saj me një orë, e më pas u anulua fare pa dhënë asnjë shpjegim.

Blatter është duke u përballur me hetues amerikanë dhe zviceranë në lidhje me akuzat për korrupsion në FIFA dhe në lidhje me vendimin për të pezulluar sekretarin e Përgjithshëm të FIFA-s, Jerome Valcke, javën e kaluar.

FOTO GALERI
1/3
Selia e FIFA-s, ku u mblodhën mediat e huaja për konferencën për shtyp

Top Channel