Përçarje brenda Listës Serbe? Jabllanoviç: Nuk e jap dorëheqjen

23/09/2015 16:15

Me gjithë përpjekjet për t’u dukur unikë, veçanërisht duke munguar në seanca parlamentare, ku diskutohen çështje të rëndësishme, Lista Serbe brenda saj duket se po përjeton një çarje të madhe.

Kryetari i këtij subjekti, Aleksandër Jabllanoviç – i shkarkuari i kryeministrit Mustafa, – tha se nuk do të japë dorëheqjen nga pozita e kryetarit, një kërkesë kjo dorëzuar zëvendëskryeministrit të qeverisë së Kosovës, Branimir Stojanoviç.

“Dorëheqjen nga posti i kryetarit të Listës Serbe nuk do ta jap, edhe pse këtë nuk e kam pasur për qëllim ta them sot në konferencë. Unë kam dhënë porosi dhe mesazhe të qarta ndaj të gjithë atyre që kanë nënshkruar kërkesën për dorëheqje. Do ta bëj, kur të gjithë ata të japin dorëheqje nga kërkesat e tyre dhe qytetarët do të vlerësojnë se kush meriton mbështetjen ose jo”, tha Aleksandër Jabllanoviç, kryetar i Listës Serbe.

Nga ana tjetër, edhe Jabllanoviç i ka shprehur kryeministrit Mustafa pakënaqësitë me punën e ministrit Stojanoviç në qeveri. Sipas burimeve qeveritare, kryeministri Mustafa është informuar nga të dyja grupet për problemet e brendshme të Listës Serbe. Në konferencën për media, Jabllanoviç mohoi se ka ambicie për të qenë kryetar i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sa i përket Bashkësisë së komunave serbe, ajo ende nuk është themeluar dhe normalisht që në formimin e saj shfaqen edhe spekulime se kush do ta drejtojë. Në asnjë moment, mund ta them hapur, nuk kam pasur ambicie dhe as nuk e kam ndërmend të jem në krye të kësaj bashkësie, thjesht për arsye se detyrimet brenda Listës Serbe janë të tilla, që është vështirë t’u përgjigjem edhe detyrimeve të tilla. Me marrjen e tyre do ta dobësoja punën time”, tha Aleksandër Jabllanoviç, kryetar i Listës Serbe.

Edhe këtë herë, ai iu referua Kosovës me emrin e vjetër “Kosova dhe Metohija”, diçka që – siç tha, – do ta bëjë gjatë gjithë jetës.

Top Channel