Kosovë, Tërnava uron besimtarët për Kurban Bajramin

23/09/2015 13:35

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se, vlerat e mirëfillta të kësaj feste manifestohen përmes sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit e humanizmit.

Myftiu Tërnava, në një konferencë për media bëri thirrje, që qytetarët të jenë më mëshirues e bujarë, dhe të ndihmojnë sa më shumë të munden të varfërit.

“Sot, në natën e festës së Kurban Bajramit, unë si myfti i vendit u bëj thirrje të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë, që të jenë më humanë e më solidarë, më mëshirues e bujarë, në mënyrë që të ndihmohen njerëzit në skamje, jetimët dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tonë. Që sofra e tyre, qoftë edhe vetëm gjatë këtyre ditëve të festës, të jetë e begatë. Allahu thotë se ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, ne do t’i vendosim në xhenete ku rrjedhin lumenj, e kështu do të jenë përgjithmonë”, tha Naim Tërnava, myfti i Kosovës.

Myftiu Tërnava ka porositur me këtë rast besimtarët, që mos të mos ketë përçarje mes tyre.

“Allahu thotë ‘mos u përçani mes jush, se do të dobësoheni e do të humbisni fuqinë tuaj’. Duke pasur parasysh se Kurani është shpjeguesi më i mirë i universit, është çelësi dhe thesari i mirësive të krijuesit, është drita dhe harta e drejtë orientuese, shpjeguese dhe komentues i së vërtetës, udhëzues i botës drejt humanizmit, kërkoj nga ju që këto vlera t’i mishëroni në shpirtin tuaj, të largoni nga vetja, familja dhe shoqëria çdo gjë, që shkon në dëm të ardhmërisë së vendit, fëmijëve tanë, duke humbur edhe dinjitetin pse u krijuam”, tha Naim Tërnava, myfti i Kosovës.

Tërnava bashkëngjiti lutjet e tij për falje e mëshirë edhe për besimtarët, të cilët kanë shkuar në Haxh. Sipas Tërnavës, këto janë udhëzime hyjnore, që e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA