Kosovë, tentativë sulmi ndaj Mustafës. Të dyshuarit u shpëtojnë policisë

23/09/2015 10:10

Policia e Kosovës ka arritur të parandalojë një sulm ndaj eskortës së kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Dyshohet se, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, ku do të kalonte autokolona me kryeministrin, do të vendoseshin disa sende metalike, të cilat tashmë janë në duart e policisë në cilësinë e provës materiale. Por, autorët e dyshuar kanë mundur të ikin pa u kapur.

Sipas Policisë, nga hetimet e bëra del se, po të realizohej ky plan mund të kishte pasoja vdekjeprurëse për kryeministrin, për përcjellësit e eskortës dhe për qytetarët përreth.

Policia bën të ditur se, gjatë përcjelljes së eskortës së kryeministrit, zyrtarët e Mbrojtjes së Afërt kanë vërejtur dy persona të dyshuar, të cilët kanë tentuar ta sulmojnë eskortën e kryeministrit, e cila ka qenë në lëvizje.

Njësitë policore kanë ndërhyrë dhe kanë parandaluar veprimin e personave të dyshuar, të cilët gjatë ikjes kanë lënë prapa tri çanta, në të cilat ka pasur mjete të forta, copëza metali të përpunuara, që shërbejnë për shpimin e gomave, ndaljen jashtë kontrollit të automjeteve, që paraqesin rrezik të lartë për automjetet në lëvizje e sipër.

Përveç mjeteve të forta, të dyshuarve u ka mbetur si provë në vendin e ngjarjes edhe një telefon celular.

Sipas komunikatës së Policisë, gjatë ndërhyrjes për ta parandaluar këtë incident është lënduar një zyrtar policor, ndërsa sa i përket eskortës se kryeministrit nuk ka pësuar asnjë incident, duke vazhduar lëvizjen drejt ndërtesës së qeverisë.

Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve, që të mos përfshihen në veprime dhe aktivitete të tilla kriminale, si dhe të mos përdorin mjete të rrezikshme dhe të kundërligjshme.

Tentativën për sulm ndaj eskortës së kryeministrit kosovar e ka dënuar, përmes një komunikate për media, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

FOTO GALERI
1/2
Foto nga vendngjarja

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA