Qeveria e Kosovës ka vendosur për shumën e pensioneve, që do të marrin veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë të papunë, e që llogariten të jenë rreth 14 mijë.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se, veteranët deri në moshën 35-vjeçare do të marrin pension prej 130 eurosh, ndërsa veteranët mbi moshën 35 vjeç do të marrin pension prej 170 eurosh.
“Sot nuk është i pranishëm ministri i Punës, por unë po pres që ai t’i bëjë publike shpejt udhëzimet administrative për procedurën e aplikimit dhe afatet kohore, si për aplikim edhe për kohën kur fillon përfitimi i pensionit”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave në Kosovë.
Hoti tha se, këto shuma janë caktuar në bazë të ligjit për veteranët, që përcakton se pensioni minimal duhet të jetë jo më i ulët se paga minimale.
Kryeministri Isa Mustafa tha se, të premten do të vendoset edhe për procedurat e aplikimit për këto pensione, ndërsa ato mund të rriten në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe pagën minimale.
“Me këtë, prej ditës së sotme hapet mundësia që të gjithë përfituesit e kësaj të drejte, nga radhët e veteranëve të UÇK-së, të fillojnë të realizojnë të drejtën e tyre”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Kabineti qeveritar miratoi shpronësimet e pronave të kërkuara për projektin e kompleksit turistik të Brezovicës, ku pritet të investohen rreth 161 milionë euro. Qeveria miratoi gjithashtu edhe anëtarët e disa bordeve të ndërmarrjeve publike.
Top Channel