Opozita bllokon Kuvendin. SHBA dënon sulmin ndaj Mustafës

22/09/2015 16:55

Deputetët e partive opozitare në Kosovë nuk lejuan vazhdimin e seancës, ku ishte parashikuar vazhdimi i raportimit të kryeministrit Isa Mustafa, për marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë.

Pas disa ndërprerjesh dhe pushimesh të dhëna nga kryeparlamentari, Kadri Veseli, pasditen e së martës ai u detyrua ta ndërpresë përpjekjen për të zhvilluar një seancë.

Pavarësisht thirrjeve të Veselit, që kundërshtimet e tyre t’i paraqisnin me diskutime pas raportmit të kryeministrit, përfaqësuesit e opozitës – që kishin zaptuar foltoren – kërkuan që kryeministri Mustafa të tërhiqte nënshkrimin nga 4 marrëveshjet me Serbinë.

I ndodhur në këtë situatë, kryeparlamentari Veseli u detyrua të ndërpresë seancën, ndërsa i ftoi udhëheqësit për të gjetur marrëveshje politike.

“Të nderuar deputetë, në rrethana të tilla ne do ta ndërprejmë seancën. Faleminderit shumë për mirëkuptimin dhe kërkoj nga të gjithë qytetarët e vendit tonë, që mos të krijohen keqkuptime dhe të kemi sa më pak raste të tilla. Do të vazhdojmë radhën e ardhshme, kur të ketë mundësi bashkëpunimi. Ftoj 3 përfaqësuesit e opozitës, që të jemi në një tryezë të përbashkët në Kuvendin e Republikës së Kosovës, qoftë mes udhëheqësve pa kryetarin e Kuvendit, ose si të dëshirojnë ata”, tha Kadri Veseli.

Gjatë kohës që po mbahej seanca, partitë opozitare kishin ftuar qytetarët të mblidheshin afër Kuvendit, që të mbronin deputetët me arsyetimin se kishte paralajmërime, që ata do të nxirreshin jashtë Kuvendit nga policia.

Thirrjes së partive opozitare iu bashkuan qytetarë, të cilët më pas u shpërndanë të qetë, pas ndërprerjes së seancës.

Përfaqësuesit e koalicionit qeveritar akuzuan sërish opozitën për bllokim të Kuvendit, ndërsa opozita paralajmëroi bllokime të ngjashme për të kundërshtuar marrëveshjet Kosovë-Serbi.

“Ata na kanë sjellë marrëveshjen në mënyrë të tillë, që ne vetëm ta lexojmë të gatshme. Por, ne nuk jemi lexues të marrëveshjeve të kryeministrit. Ne jemi deputetë të zgjedhur të këtij populli dhe, në momentin që e vlerësojmë se janë tejkaluar vijat e kuqe të interesit kombëtar dhe shtetëror, atëherë mendojmë se duhet të veprojmë në mënyrën më të arsyeshme. Mënyra më e arsyeshme është që t’i përdorim të gjitha metodat, që ta detyrojmë kryeministrin të tërhiqet nga Zajednica”, tha Glauk Konjufca.

Veprimet e deputetëve të opozitës në Kuvend i ka dënuar pasdite edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie. Nëpërmjet një reagimi në Twitter, ai ka kërkuar nga partitë opozitare, që të respektojnë procedurat demokratike.

Edhe qeveria e Kosovës ka shprehur shqetësim, që kryeministri Isa Mustafa nuk u lejua të raportojë para deputetëve, por sipas komunikatës së qeverisë, u bë e ditur se Mustafa është i gatshëm, që të raportojë sërish për marrëveshjet e nënshkruara kur të krijohen kushtet në Kuvend.

Top Channel