Gjykata Speciale, Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e opozitës

21/09/2015 16:55

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur si të papranueshme, kërkesën e deputetëve të partive opozitare për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e ndryshimeve kushtetuese, që i hapën rrugë formimit të Gjykatës Speciale për krime lufte.

Në aktvendimin e plotë, të publikuar nga Gjykata Kushtetuese të hënën pasdite, thuhet se parashtruesit e kërkesës dështuan të paraqesin prova për të dëshmuar pretendimet e tyre, në mbështetje të pretendimit të tyre për shkelje të Kushtetutës.

Parashtruesit e kërkesës kishin argumentuar se, dispozita kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale përmbys të gjithë sistemin kushtetues, pasi – sipas tyre, – dispozitat e amendamentit për Specialen janë në kundërshtim të plotë me karakterin dhe subjektivitetin e Republikës së Kosovës.

Por, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar me vendimin e saj se, përmbajtja e amendamentit të propozuar, siç ishte dorëzuar më parë në gjykatë për vlerësim paraprak më 9 mars 2015, është identike me tekstin e amendamentit te propozuar, që ishte riproceduar nga Qeveria dhe që ishte përcjellë nga kryetari i Kuvendit te të gjithë deputetët, më 31 korrik 2015.

Në këto rrethana, gjykata konkludon se nuk ka pasur nevojë, që amendamenti i propozuar të referohet për herë të dytë, pasi ai ishte vlerësuar një herë tashmë dhe përmbajtja e tij nuk ka pësuar ndonjë ndryshim apo modifikim.

Deputetët e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës i kanë kërkuar më 11 gusht Gjykatës Kushtetuese, që të vlerësonte kushtetutshmërinë e vendimit të Kuvendit për Gjykatën Speciale, e cila u votua për herë të dytë në Kuvend, diçka që sipas opozitës përbënte shkelje kushtetuese.

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, partitë opozitare nuk kanë bërë ende ndonjë reagim, edhe pse kishin paralajmëruar që kur e kishin dërguar lëndën në gjykatë, se nuk i besojnë Kushtetueses, pasi – sipas tyre, – ajo është kapur dhe udhëhiqet nga partitë e koalicionit qeveritar.

Top Channel