Dekriminalizimi, Naço shkresë BE dhe SHBA për rekordet kriminale

21/09/2015 14:05

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar informacione nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës, por edhe nga Shtetet e Bashkuara për rekordet penale të të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë qenë objekt i shqyrtimit apo i regjistrimit në zyrat e gjendjeve gjyqësore të këtyre shteteve.

Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë këtij diksateri, nisma vjen në kuadër të mbështetjes së procesit të ndërmarrë për dekriminalizimin e institucioneve shtetërore.

Në njoftimin zyrtar, thuhet se ministri Nasip Naço vlerëson se, informacioni që do të sigurohet do t’i shërbejë përmirësimit të sistemit për mbajtjen e rekordeve penale, si dhe përditësimit dhe mbrojtjes së këtyre të dhënave.

“Marrja e këtij informacioni do të mundësojë krijimin e një baze të dhënash, ku do të jenë të evidentuar të gjithë shtetasit shqiptarë që janë proceduar apo janë gjykuar në shtetet respektive për çështje të ndryshme penale apo administrative”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, vijohet në të, Ministria e Drejtësisë po analizon situatën aktuale, si dhe ka ndërmarrë nismën për dixhitalizimin e Zyrës së Gjendjes Gjyqësore për të dënuarit brenda vendit dhe për të dhënat e administruara prej vitesh, të cilat ndodhen në Arkivë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA