Aksidenti në Prishtinë, ja si e përjetuan të plagosurit

21/09/2015 16:45

Albi Zymberi, nga Mitrovica, është një nga 11 të plagosurit në aksidentin e rëndë në hyrje të Prishtinës.

I shtruar në Klinikën Ortopedike në Qendrën Klinike Universitare, djaloshi 12-vjeçar ka rrëfyer për Top Channel momentin e aksidentit, teksa pasditen e së dielës po priste bashkë me të atin, Florim Zymberi, një taksi për t’u kthyer në shtëpi.

“Unë dhe babai ishim duke pritur taksinë, por papritur erdhi një Audi me një shpejtësi shumë të madhe dhe na goditi ne të dyve dhe shumë njerëz të tjerë. Të gjithë patëm dëmtime shumë të rënda, sikurse dhe unë. Krahu më ishte krisur dhe këmba më ishte thyer”, tha Albi Zymberi, i aksidentuar.

“Automjeti që na goditi neve ishte në anën e djathtë, faktikisht nga stacioni. Ka ardhur shumë shpejt dhe na ka përplasur të gjithëve. Edhe ato mbrojtëset e stacionit i këputi dhe vazhdoi deri tek urgjenca, pasi nuk mundi të ndalej. Ka pasur viktima që kanë përfunduar poshtë makinës dhe ajo është ndalur, njëra rrotë i ka shkuar deri tek fyti njërit prej tyre”, tha Florim Zymberi, babai i Albit, i aksidentuar.

Aksidenti që la të plagosur 11 qytetarë, sipas hetimeve të para të Policisë u shkaktua nga një grua, e cila po drejtonte automjetin tip Audi me shpejtësi të madhe. Në momentin e aksidentit, në vend që ajo të frenonte, besohet të ketë shtypur pedalin e gazit.

“Sipas hetimeve paraprake, që janë bërë në vendin e ngjarjes, shihet se automjeti ka pasur gjurmë të bartjes, domethënë na tregon se këtu ka pasur shpejtësi të madhe. Llogaritet diku në 20 metra të jenë shtrirë gjurmët e bartjes së automjetit, deri kur është ndeshur me këmbësorët”, tha Milaim Fejzullahu, komandant i Policisë së Qarkullimit Rrugor.

Fejzullahu tha se, pas aksidentit, drejtuesja e automjetit është arrestuar dhe vazhdon të mbahet në paraburgim.

Në Klinikën Universitare po vazhdon trajtimi edhe i të dëmtuarve të tjerë, ku një grua shtatzënë vazhdon të jetë në gjendje kritike.

“Pas ekzaminimeve laboratorike e rengenologjike të kryera, janë lënë të lirë për në shtëpi 6 persona, ndërsa 4 janë transferuar në Klinikën e Ortopedisë, për shkak të frakturave të pësuara në ekstremitetet e trupit. Një paciente është ende në sallën e Reanimacionit. Pacientja në fjalë është shtatzënë, në muajin e 6. Gjendja e përgjithshme e saj është e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën”, tha Avdush Bajgora, reanimator i QKU-së.

Të dëmtuarit e këtij aksidenti janë vizituar në Emergjencë edhe nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili është interesuar nëse qytetarët po marrin trajtimin e duhur mjekësor.

Top Channel