Qindra qytetarë iu bashkuan këtë të shtunë festës së Shën Gjergjit, ku veç muzikës dhe natyrës shijuan edhe produktet bujqësore e blegtorale të zonës.
Pjesë e kësaj feste u bë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka deklaruar se aktivitete të tilla synojnë që të promovojnë zonat përreth Tiranës, si potenciale turistike dhe tërheqëse për të gjithë ata qytetarë që pëlqejnë malin dhe sportet ekstreme.
“Këtë aktivitet mund ta kishim bërë edhe në Bllok, por donim që njerëzit të vinin nga Tirana deri në Shën Gjergj, për të zbuluar se zonat rreth Tiranës kanë shumë pasuri. Unë besoj se vlera më e madhe e këtyre aktiviteteve nuk është vetëm dita e sotme, po është dita e nesërme me lidhjet që krijohen, shoqëritë që paguajnë, marrëdhëniet e biziesit me njerëz që marrin furnizime në zonë, turizmi që vjen dhe paratë që investohen sepse në fund të ditës ka vetëm një qëllim që është qëllimi ekonomik”, deklaroi Veliaj.
Veliaj theksoi se tashmë organizime të tilla duhet të bëhen pjesë e axhendës së të gjitha njësive të tjera administrative të Tiranës, kryesisht të atyre që kanë pasuri natyrore dhe kanë se çfarë t’u ofrojnë sot turistëve.
Top Channel