Kosova përgatitet për t’u anëtarësuar në UEFA

18/09/2015 16:40

Ministri i Sportit në Kosovë, Kujtim Shala është takuar këtë të premte me krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës, konkretisht kryetarin Fadil Vokrri dhe sekretarin Eroll Salihu.

Krerët e FFK-së e informuan ministrin Shala rreth zhvillimeve të fundit në futbollin e Kosovës dhe veçanërisht rreth procesit të ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar.

“Drejtuesit e FFK-së e njoftuan ministrin Shala me takimet që kanë pasur këto ditë me drejtuesit e UEFA-s dhe vendimin që në kongresin e ardhshëm, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, me në krye Michelle Platini, të ketë në rend të ditës votimin për pranimin e Kosovës në UEFA”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Sipas këtij njoftimi, ministri Shala shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucioneve të tjera për të ndihmuar FFK-në këtë proces tepër të rëndësishëm për futbollin e Kosovës.

Në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e organizmit të një ndeshjeje futbolli mes përfaqësues së Kosovës dhe asaj të Maltës.

Top Channel