Bayern, polemika mes Kaizerit dhe Pep për Vidalin

18/09/2015 00:00

“Nuk na nevojiten lojtarë që nuk lëvizin në mesin e fushës. Nuk është kjo që prisnim prej tij”. Kjo është kritika e radhës e bërë nga kaizeri gjerman, Franz Beckenbauer, sigurisht në drejtim të lojtarit më të ri të mesfushës bavareze, Arturo Vidalit. Sipas legjendës së futbollit gjerman, mesfushori kilian i ardhur nga Juventusi po luan shumë më poshtë në nivel nga sa pritej.

E megjithatë, Kaizeri gjerman nuk është ndalur me kaq, por ka shtuar se “me siguri, ai mund të luajë shumë më mirë nga ç’po bën. Mund të humben pasime apo dyluftime në mesfushë, por impenjimi duhet të jetë në maksimum në çdo ndeshje, ndaj kujtdo rivali”.

Mesfushori kilian është përfshirë së fundi në një vorbullë kritikash si në vendlindjen e tij, ashtu edhe në Gjermani; si për çështje që i përkasin futbollit, ashtu edhe për sjelljet jashtë fushave të blerta.

Gjithsesi, në mbrojtje të tij ka dalë Pep Guardiola, por edhe ky ka ditur sesi të sillet në mënyrë të denjë, pa sulmuar Beckenbauerin. I ka hedhur “ujë zjarrit” për ta shuar menjëherë polemikën e sapolindur.

“Nuk ndaj të njëjtin mendim me zotin Beckenbauer, – ka thënë tekniku spanjoll. – Arturo është një lojtar i Bayern Munchen dhe afrimi i tij ka qenë i vendosur nga të gjithë. Me siguri do të jetë një lojtar tepër i rëndësishëm për ne. Edhe statistikat flasin më shumë për të, siç tregon edhe sfida e fundit. Megjithatë, nuk më intereson polemika, unë jam i kënaqur prej tij dhe nga shifrat flasin qartë”.

Pavarësisht mbrojtjes nga trajneri katalanas i bavarezëve, Vidal e di mirë se në këtë moment duhet të ruajë qetësinë dhe të shlyejë me performancat në fushë besimin që i ka dhënë Pep Guardiola.

Top Channel