Festivali Ndërkombëtar i Komedisë

17/09/2015 12:00

Korça, në mbrëmjen e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Komedisë ka ndjekur një prej shfaqjeve më të veçanta. “Të gjithë burrat e Analizës”, e sjellë nga trupa e Teatrit të Vlorës nën regjinë e Roland Mingës, ka arritur të përcjellë një prej mesazheve më aktuale për realitetin shqiptar, ku liria e individit frustrohet nga shoqëria.

“E gjithë dramaturgjia letrare e kësaj vepre këtë pasqyron më së miri, duke futur brenda mjeshtërinë dhe konceptin regjisorial, pa lënë jashtë edhe punën e aktorëve”, shprehet aktori Ilirjan Ali.

Ndërkohë, regjisori Roland Minga tha: “E ndjej veten të mbështetur nga aktorët dhe spektatori. Kjo është kënaqësia që na fal kjo punë”.

Për Zamira Kitën, drejtore e festivalit, nuk ka qenë aspak e lehtë për të riorganizuar Festivalin e Komedisë.

“Jam shumë e lumtur pasi kemi kaluar shumë probleme për të organizuar këtë festival. Kemi të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare”, deklaroi Kita.

Në Festivalin e Komedisë në Korçë marrin pjesë Teatri i Korçës, Tetovës, Vlorës, Durrësit, Prishtinës e Tiranës. Festivali është hapur mbrëmë me komedinë “Perëndesha e bukurisë”, komedi nga Pirro Mani dhe regji të Spiro Dunit. Komedi kjo që sjell nostalgjinë e Manit për Korçën, në një këndvështrim komik mbi problemet e ndarjes së pasurisë dhe pavendosmërisë për të ndërtuar familje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA