Europiani i basketbollit, Spanjë-Francë në gjysmëfinale

16/09/2015 00:00

Spanja dhe Franca do të përballen sërish me njëra-tjetrën, në gjysmëfinale të kampionatit europian të basketbollit për meshkuj, ashtu sikurse ndodhi edhe në vitin 2013.

Skuadra iberike, e drejtuar nga Sergio Scariolo arriti të kualifikohej mes 4 më të mirave, pasi mposhti Greqinë 73-71, në një ndeshje të luftuar shumë. Spanja arriti të mbyllë dy periodat e para me avantazhin e 7 pikëve; 39-32; por grekët duket se nuk ishin dakord me këtë rezultat.

Në 10 minutat e treta, skuadra helene përmbysi gjithçka, për të krijuar ajo një avantazh prej 4 pikësh. Perioda e fundit ishte ajo që vendosi fatin e kësaj ndeshjeje të fortë, me spanjollët që dolën nga parketi të fituar. Pau Gasol dhe Nikola Mirotiç ishin dy basketbollistët që shkëlqyen për dy herë kampionët e Europës, ndërkohë që për grekët, paraqitja e mirë e Antetonkumpo nuk mjaftoi.

Në çerekfinalen tjetër, Franca arriti të mposhtë surprizën Letoni, 84-70. Skuadra kampione në fuqi e vuajti entuziazmin e letonezëve në pjesën e parë, me skuadrën baltike që arrriti të krijojë edhe një diferencë prej 8 pikësh.

Gjërat për transalpinët ndryshuan në dy minutat e fundit të periodës së dytë, falë disa pikëve të Toni Parker. Pas pushimit të takimit, sfida nuk pati shumë histori. Franca mori frenat e lojës në dorë dhe, për Letoninë, kundërpërgjigjja ndaj lojës së saj u bë një mision i pamundur.

Rudi Gobert, me 13 pikë e 6 asiste, ishte basketbollisti që pati statistikat më të mira për Francën, ndërkohë që në krahun tjetër, ai që spikati ishte Janucenko.

Top Channel