UEFA, të enjten diskutohet për anëtarësimin e Kosovës

15/09/2015 00:00

Një lajm shumë i rëndësishëm për futbollin e Kosovës vjen nga UEFA. Kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës për t’u pranuar në institucionin më të lartë europian do të diskutohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv që do të mbahet të enjten në Maltë.

Nëse qeveria e futbollit europian pranon kërkesën e Kosovës, atëherë Kongresi i UEFA-s, që pritet të mbahet në mars të vitit të ardhshëm në Hungari, mund ta bëjë Kosovën anëtaren e 55 të UEFA-s.

Lajmi për përfshirjen e Kosovës në agjendën e takimit të Komitetit Ekzekutiv është konfirmuar edhe nga sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino.

Kryetari dhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Fadil Vokrri dhe Eroll Salihu do të udhëtojnë drejt Maltës për të qenë të pranishëm në takimin ku do të diskutohet pranimi i Kosovës në UEFA.

Nëse gjithçka shkon sipas parashkikimeve, Kosova mund të marrë pjesë në kualifikueset e Botërorit 2018 që do të nisin në shtator të vitit 2016, dy muaj pasi të përfundojë Europiani i Francës.

Top Channel