“Loro Boriçi”, Vllaznia: Ritme të ngadalta; FSHF: Punohet 24 orë

15/09/2015 12:45

Tifozët shqiptarë, dhe ata shkodranë në veçanti, do të duhet të presin edhe pak kohë për të bërë tifo në stadiumin “Loro Boriçi”, të rikonstruktuar sipas standardeve të UEFA-s.

Klubi i Vllaznisë ka pohuar se premtimet e qeverisë po dalin boshe, dhe se ritmet e ngadalta të punimeve në këtë impiant po dëmtojmë rëndë financat e klubit.

Gjergj Kola, zëdhënës i klubit Vllaznia, deklaroi: “Edhe sikur tani e tutje të punohej me tre turne, stadiumi nuk do të përfundonte para vitit 2016. Klubi i futbollit Vllaznia shpreh shqetësimin në lidhje me këtë çështje sepse po i shkaktohet një dëm i madh financiar dhe sportiv”.

Ndryshe nga drejtuesit e Vllaznisë, sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku pohoi për Top Channel se stadiumi i ri do të jetë gati brenda vitit 2015: “Mund të jetë gati në nëntor. Atje po punohet 24 orë në ditë dhe shumë shpejt stadiumi do të jetë gati”.

Punimet në stadiumin “Loro Boriçi” filluan me ritme tepër të larta, sepse synohej që aty të zhvillohej ndeshja e 8 tetorit Shqipëri-Serbi, e cila më vonë u pa e arsyeshme të luhej në “Elbasan Arena” për arsye sigurie.

Top Channel