“Dallëndyshja’ e këngëtares Elina Duni do të stacionohet në datat 14 dhe 15 shtator në Tiranë. Albumi me këtë titull i këngëtares, prodhuar në një ndër shtëpitë më të mira diskografike në botë sa i takon muzikës jazz, vjen në Shqipëri pas promovimit në Berlin, Paris, Suedi e Estoni. “Dallëndyshja’ e Elina Dunit do të qëndrojë dy ditë në kryeqyet për të vijuar shtegtimin e saj në Beograd.
“Albumi ‘Dallëndyshe’ është publikuar tek shtëpia diskografike legjendare e jazz-it në botë. Kisha shumë dëshirë që të bëhej dhe në Ballkan dhe në gjithë vendet shqipfolëse. Për mua është shumë e rëndësishme, ashtu siç shkruaj dhe këndoj shqip, të vi dhe t’i sjell këngët nga kurbeti i tyre zviceran t’i risjell në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Ishte shumë e rëndësishme për mua që ky tur të kapte gjithë njerëzit, gjithë shqiptarinë dhe pjesa e fundit e turit është Beogradi, do të këndoj shqip në Beograd ”, thotë Duni.
Ky album, thotë këngëtarja, përmban këngë mërgimi dhe dashurie duke sjellë një pjesë të shpirtit të Elinës. Titulli i zgjedhur enkas, si për të treguar dhimbjen dhe mallin që Elina përjeton në vazhdimësi si një emigrante e dashuruar me vendlindjen, ndonëse me famë botërore dhe shumë e suksesshme në lëvrimin e muzikës jazz.
“Kuarteti është “Kuarteti Elina Duni” në kemi dhjetë vjet që luajmë nëpër Europë, ky është albumi i katërt. Do të prezantojmë 12 këngët e këtij albumi që quhet “Dallëndyshe” dhe ka këngë të vjetra mërgimi dhe dashurie shqiptare, të gërshetuara me jazz-in, me tingujt e jazz-it bashkëkohor”, rrëfen Duni.
Elina Duni do të mirëpresë publikun e kryeqytetit në koncertin e saj live, në datat 14 dhe 15 shtator në sallën e Katedrales së Kishës Ortodokse.
Top Channel