Perez, mesazh PSG-së: Duan Ronaldon? Të paguajnë 1 mld euro

10/09/2015 00:00

Nëse Parisi dëshiron të ketë shërbimet e Cristiano Ronaldos, duhet të paguajë shumën prej 1 miliard eurosh.

Ky është mesazhi i dhënë nga presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, në drejtim të kampionëve të Francës, që prej kohësh kanë shafqur interesin për blerjen e kartonit të sulmuesit portugez.

“Është shumë e thjeshtë. Nëse PSG do Ronaldon, atëherë të paguajë klauzolën e zgjidhjes së kontratës së tij, do të thotë, një miliard euro”, është shprehur Perez, në një intervistë për “Cadena Cope”.

“Nuk ka asnjë profet në futboll, por ne nuk kemi ndërmend ta largojmë atë në vitin 2016. Ronaldo ka edhe 3 vite kontratë me ne”, shtoi ai.

Ndërkaq, Florentino Perez foli edhe për Gerard Pique, i cili prej kohësh është bërë objekt polemikash, ndërkohë që është vërshëllyer nga tifozët gjatë ndeshjeve kualifikuese të “Euro 2016” të Spanjës.

“Ndodh që ndonjëherë të gabosh, por nuk më duket diçka e mirë, që një lojtar të vërshëllehet nga tifozët, sidomkos kur ai ka veshur fanelën e kombëtares – tha Perez. – Pique është ai që është dhe jemi mësuar me të, por vërshëllimat ndaj tij nuk janë diçka e mirë”.

Top Channel