F1, Red Bulli shumë pranë marrëveshjes me Ferrarin për motorë

10/09/2015 00:00

Ferrari duket se do të jetë firma furnizuese me motorë e Red Bullit. Skuadra austriake nisi bisedimet me “kokëkuqen” italiane në lidhje me këtë çështje, menjëherë pas refuzimit të bërë nga ana e Mercedesit.

Vetë Helmut Marko është shprehur në favor të një bashkëpunimi të Red Bullit me Ferrarin, duke theksuar se kjo do të ndihmojë këtë skuderi të jetë sërish kompetitive në garat e Formulës 1.

“Marrëveshja me Ferrarin mund të jetë hapi i parë, për të pasur sërish një motor kompetitiv – tha Marko. – Do të jetë më mirë, që të merret një vendim sa më shpejt të jetë e mundur. Në këtë mënyrë nuk do të cilësohemi më si jofavoritë në fillim të garave”.

Red Bull ka aktualisht një kontratë me Renaultin për furnizimin me motorë, kontratë kjo që skadon në vitin 2016. Së fundmi, skuadra austriake ka shfaqur pakënaqësi të shumta kundrejt kompanisë franceze, duke menduar edhe për një mbyllje të bashkëpunimit me të, që në fund të këtij sezoni.

Top Channel