Policia e Shtetit ka asgjësuar mbi 8640 rrënjë bimësh narkotike në tre operacione të ndryshme të zhvilluara në Shkodër, Mirditë dhe Vlorë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se në qarkun e Shkodrës janë gjetur 20 parcela me 2700 rrënjë kanabis.
Ato ishin mbjellë në fshatrat Vilë, Serme dhe Qerret të qarkut Shkodër, në Bratosh e Kastrat të Malësisë së Madhe, në fshatin Lum-Zi të Pukës, si dhe në vendin e quajtur Bjeshkët e Merturit, në Fushë-Arrëz.
Ndërsa në Mirditë janë gjetur 2320 rrënjë kanabis dhe është arrestuar kryeplaku i fshatit Shpërthazë, Gjergj Gera, për moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre. Droga është gjetur në vendin Suk Munagje, të shpërndara mes shkurreve.
Dhe në qarkun e Vlorës janë gjetur dhe asgjësuar 3620 rrënjë kanabis sativa, të kultivuara në 34 parcela. Bima e hashashit ishte mbjellë në fshatrat Treblovë, Lubonjë, Gjorm, Kallarat dhe Tërbaç. Policia po punon për identifikimin e kultivuesve të drogës.
Top Channel