Aleksander Çipa – Sistemi i tradhtuar nuk mund t’i ndihmojë më rrënuesit. Kjo të ngjan se provohet pas ngjarjeve të djeshme në Laç, ku deputeti socialist i zonës së bashku me familjarë të vet është përballur me disa qytetarë, në konflikt interesi pronësor dhe natyrisht duke ikur ose e braktisur plotësisht, statusin si përfaqësues i legjislativit të vendit.
Shkrepjet e armës apo armëve dhe gjakimi mes deputetit dhe banorëve, është një precedent i rrallë që e ka goditur tronditshëm figurën reale të deputetit shqiptar. Në pikëpamjen morale kjo ngjarje përbën episodin më tronditës dhe më degradues në historinë parlamentare të vendit. Përgjegjësia ndaj saj nuk mund të mbetet vetëm politike. Kostoja që është shkaktuar nuk mund të peshohet apo matet vetëm me efektet ditore të komenteve dhe interpretimeve qofshin këto nga partitokratët, qoftë nga mediumet. Ngjarja e djeshme e Laçit ka dërmuar gati përfundimisht iluzionin se në Parlamentin e sotëm të vendit mund të shpresohet për një meritokraci morale, intelektuale dhe juridike. Ky episod mund të konsiderohet edhe si një kapitull i fundmë i degradimit moral të meritokracisë së përfaqësimit dhe ndërgjegjes përfaqësuese në Kuvendin e vendit.
Rrënuesit e sistemit jetojnë “fatlumë” përgjatë këtij akti në periudhën e përfitimit. Kushdoqofshin ata në periudhën e vijimit të rrënimit ia dalin të ofrojnë shërbesa dhe të vjelin përfitime. Mirëpo, kjo nuk është një kohë e pacak. Kjo logjikë dhe mekanizëm korrupsioni që implementojnë ata, shkakton degradim dhe gropa të mëdha, në të cilat në mos bien vetë, së paku fusin dhe zhysin tutorët e tyre. Në këtë mënyrë u ngrit arkitektura e bashkëjetesës së informalitetit ligjor me jetëshkurtësinë e besnikërisë partiake dhe, rezultati më i qëndrueshëm ishte ai i pasurimit të paligjshëm të individëve dhe bandave partiako-fisnore. Ndërsa u konsolidua trishtueshëm delikatesa dhe paqëndrueshmëria e shtetit dhe e ligjit. Kriminalizimi në thelbin e vet, këtë mekanizëm afirmoi dhe mori në zotërim. Partitokratët lehtësisht e sunduan ligjin, duke u bërë aleatë dhe mbështetës të antiligjit dhe të rrënuesve sadistë të sistemit.
Mirëpo vjen një moment kur ata që kanë protagonizmin e rrënuesit dhe të përfituesit, nisin të “shijojnë” statusin e viktimës. Kasta politike në këtë vend duket se është aktorja kryesore që duke sendërtuar rrotacionin e shkëmbimit të pushtetit, mund të zgjasë edhe jetë përfitimin prej rrënimit të sistemit.
Është pikërisht kjo logjika mbi të cilën u krijua perceptimi i pafundësisë për të ashtuquajturën “periudhë të tranzicionit” në Shqipëri. Në këto cikle të rotacionit hajdutët apo “të fortët” e tribuve nëpër skaje të vendit, herë i mori një palë e herë i blen pala tjetër. Ata u vetëndien të fortë, duke ia dalë të ngjiten gjer në majat e përfaqësimit politik, si deputetë dhe të zgjedhur në nivelet e larta të forumeve partiake. Gara për rekrutimin e të tillëve nuk mbeti vetëm mes dy partive kryesore, por u shndërrua si çelës suksesi për zona dhe mandate elektorale. Ky mekanizëm antisistem, natyrisht nuk mund të mos evitojë goditjen flagrante dhe publike të ligjit dhe sistemit. Historitë me deputetë të fortë dhe gjakimet e politikës në vetvete, janë pikërisht viktimizimi prej kësaj tradhtie të sistemit dhe demokracisë.
Deputeti socialist, Armando Prenga, nuk ka goditur sistemin, por ka marrë shpagën e pameritës së vet për të qenë deputet dhe sidomos një përfaqësues i pretendimit për “rilindës”. Ndëshkimi përjashtues që i dha partia e tij dje është i vlefshëm moralisht, por nuk e zvogëlon apo mpak koston politike që ka marrë kryetari Rama dhe Partia Socialiste.
Nuk kanë kaluar dy vjet dhe qeverisja e shumicës së majtë është goditur në imazh dhe brendi aq fort, sa tashmë po mbërrin frikshëm skepticizmi për një triumf të së mirës. Dy bashkëqeverisësit Edi Rama dhe Ilir Meta gjenden në kuotën më të ulët dhe pozitën më të vështirë të besueshmërisë dhe mbështetjes publike për ofertën dhe sidomos cilësinë e tyre të qeverisjes.
Ngjarje, detaje, episode dhe ditë të mbushura me paradokse dhe absurditete të standardeve të dyfishta, po e degradojnë besueshmërinë publike ndaj qeverisjes dhe po madhojnë progresivisht shfryrjen populiste të pakënaqësisë.
Kjo që po ndodh ka lidhje me arsyet dhe shkaqet e freskëta, por më së shumti me procesin e degraduar dhe të tejzgjatur në dy dekadat e fundit. Është produkti i pandalshëm i tradhtisë së sistemit dhe i ikjes makabre dhe makute prej tij. Në këtë flagrancë të tradhtisë së sistemit, duhet kapur nyja e ndryshimit, lëvizjes dhe reagimit politik. Aksioni opozitar për dekriminalizimin i sponsorizuar dukshëm nga faktori ndërkombëtar dhe sidomos prej aleatëve tanë më të vyer, amerikanëve, nuk mund të merret dhe trajtohet si gjer tani. Kryeministri Rama edhe pse i ka të shumta shenjat dhe gjurmët e pengmbajtjes apo pengimit, ka ende mundësi për nisma dhe lëvizje për të kaluar në një terren aktiv dhe tejkalim.
Kjo nismë është e lidhur me kuotën fatale të rrënimit dhe me ardhmërinë e vetë sistemit politik dhe partiak në vend. Kryeministri Edi Rama nevojitet të riinstitucionalizojë së pari, diskutimin dhe vendimmarrjen kolegjiale në subjektin e vet politik dhe në raportet me institucionet kushtetuese të vendit. Në diskutim është modeli dhe sistemi i funksionimit të republikës. Tradhtia dhe ikja e përhershme nga vlerat dhe normat e sistemit e mban foshnjë shtetin dhe i ikën frikshëm sistemit tonë republikan.
Top Channel