Kuponi tatimor është shndërruar në mjet përfitimi për shumë qytetarë të Kosovës, të cilët e kërkojnë dhe e marrin atë për shërbimet dhe blerjet që bëjnë.
Bëhet fjalë për fushatën e qeverisë së Kosovës që ka për qëllim rimbursimin në vlerë të caktuar të të hollave për të gjithë ata qytetarë, të cilët mbledhin kuponë tatimorë dhe i dorëzojnë pranë administratës tatimore.
Kjo duket një iniciativë e mirëpritur edhe pse ATK-ja ende nuk e ka bërë rimbursimin e plotë të mjeteve.
Besart Daka tregon se për tremujorin e parë të kësaj fushate, ka dorëzuar kuponë në vlerë mijëra euro, por për shkak të rregullave të caktuara, i është dashur t’i ndajë në mënyrë që edhe shuma të jetë më e lartë.
“Kanë qenë tri nivele, mbi 50 kuponë në vlerë 800 euro rimbursohesh 20 euro, unë i kam mbledhë 200 kuponë, më është dashtë t’i ndajë në tri grupe, por mjetet nuk më janë transferuar në konto”, shprehet një banor i Prishtinës.
Vlera e parave që kthehen nga mbledhja e kuponëve nuk është e lartë pasi më së shumti që një qytetar mund të fitojë është 20 euro për 50 kuponë tatimorë, në vlerë 800 euro. Çdo vlerë më e vogël e kuponëve, zbret shumën e përfitimin në 10 dhe 15 euro. Por nuk janë vetëm paratë që fitohen, ajo për të cilën qytetarët angazhohen në këtë çështje.
“Unë mendoj që të gjithë ne duhet t’i kontribuojmë vendit, nëse shteti ka marrë vendim që të kërkojmë kupon fiskal, unë jam i gatshëm ta zbatojë këtë, deri sot megjithë neglizhencën e bizneseve, unë kam insistuar në kupon fiskal”, shton qytetari.
Në administratën tatimore bëjnë të ditur se fushata do të vazhdojë deri në një vendim tjetër të qeverisë. Në tre mujorin e parë ATK-ja ka pranuar gjithsej 25 mijë kërkesa për rimbursim.
“Udhëzimi parasheh që çdo tre muaj, për kuponët e mbledhur ata mund të aplikojnë. Ne për tre mujorin e parë i kemi marrë 25 mijë kërkesa, jemi në fazën përfundimtare të kthimit. I kemi përpunuar tre lista dhe i kemi përcjellë mjetet në llogaritë e të gjithë atyre që kanë aplikuar në ATK, dhe po ashtu po shohim që të shohim modalitetet që të shohim aplikimin elektronike”, shprehet Nahit Sharku, drejtor i ATK-së.
Faza e dytë e aplikimit të qytetarëve që kanë mbledhur kuponë tatimorë për muajt qershor, korrik dhe gusht, fillon në muajin tetor.
Top Channel