Hamilton fiton garën e Italisë. Piloti britanik regjistron fitoren e 40, pas tij Vettel e Massa

06/09/2015 15:25

Lewis Hamilton ka arritur fitoren e tij të 40 në karrierë në këtë fundjavë të Çmimit të Madh të Italisë në Monza, duke lënë pas në vendin e dytë pilotin e Ferrarit, Sebastian Vettel dhe Felipe Massa-n.

Ka qenë një garë perfekte kjo për Lewis Hamilton që e fillon shumë mirë që nga starti dhe e mban kryesimin i pashqetësuar deri në përfundim të kësaj gare, ku mbyllja misterioze me komunikimet e shpeshta të koduara me skuadrën, nuk sollën asnjë ndryshim të rezultatit.

Sipas mediave britanike tek makina e Hamilton goma e pasme majtas është gjetur më pak e fryrë sesa rekomandimet e Pirrelit, një ndryshim në presion i gomave që i jep mundësinë pilotit të hyjë në disa kthesa më i sigurtë, por vetëm kaq.

Ndërkohë, Sebastian Vettel ka mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë garë pasi i shpëtoi presionit të Nico Rosberg dy xhiro nga fundi ku motori i makinës së këtij të fundit pati probleme.

Nga kjo tërheqje e gjermanit ka përfituar edhe Felipe Massa, i cili fitoi duelin me shokun e tij të skuadrës, Valter Botta për të mbajtur shkallën e tretë të podiumit.

Gjërat nuk shkuan aspak mirë për Kimi Raikkonen në këtë garë i cili që në start gaboi duke përfunduar i fundit, ndërkohë iu desh të rikuperonte gjatë gjithë garës për të mbyllur këtë Çmim të Madh në vendin e 5-të.

Veç spektaklit të pilotëve të garës, në përfundimin e saj, në ceremoninë e podiumit ka qenë tifozeria italiane e cila ka dhuruar një tjetër emocion për të tre protagonistët e fundjavës.

Gara e radhës do të jetë Çmimi i Madh i Singaporit pas dy javësh.

FOTO GALERI
2/11
Lewis Hamilton (Mercedes) dhe Sebastian Vettel (Ferrari)

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA